Agim Sulaj
28 Qershor 2019•Përditësim: 30 Qershor 2019
Drejtori i deritanishëm i NALT-it në Kosovë (Ekipit Këshillues Ndërlidhës i NATO-s), gjeneral brigade Uwe A. Becker, i ka dorëzuar detyrën drejtorit të ri, gjermanit Michael G. Oberneyer, në ceremoninë e zhvilluar në ndërtesën e Ministrisë së Mbrojtjes në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një ceremoni ku morën pjesë forcat paqeruajtëse të KFOR-it, përfaqësues të NATO-s, ambasadorë, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) bashkë me pjesëtarë të FSK-së, kryeministri Ramush Haradinaj si dhe udhëheqës tjerë institucionesh, u vlerësua lartë puna e gjeneralit Becker.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinajm, theksoi se angazhimi i NALT-it është i rëndësishëm, sepse është urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.
Haradinaj tha se populli i Kosovës jo vetëm që i beson pjesëtarëve të KFOR-it, por “ndjehemi me ta sikur të ishin njerëzit tanë”.
“Ne kemi një vizion si Kosovë, që është t’ju bashkohemi juve, t’i bashkohemi familjes (së NATO-s). Pra po përgatitemi për të bërë punë të vështirë jo vetëm për t’u besuar nga të tjerët, por edhe për t’u pranuar si një vlerë e forcave kolektive të të gjitha kombeve të regjionit tonë, të kontinentit tonë dhe të gjithë globit, që të shërbejmë për paqe”, tha Haradinaj.
Drejtori i deritanishëm i NALT-it, gjeneral brigade Uwe A. Becker, u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin që ka pasur me FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes, duke vlerësuar se kjo tregon marrëdhëniet e mira të NATO-s me Kosovën.
“Mjaftueshëm është arritur, por ende mbetet shumë për t’u bërë. Procesi i transformimit (të FSK-së), koordinimi me miq dhe partnerë është një kompleks i ndërmarrë dhe do të marrë jo vetëm kohë, por edhe burime. Dhe do të kërkohet gjatë gjithë kohës nerva të forta”, tha Becker.
Drejtori i emëruar sot, gjeneral brigade Michael G. Oberneyer duke vlerësuar të arriturat e viteve të fundit të FSK-së, premtoi angazhim të madh për progresin e mëtutjeshëm.
“Pasi FSK ka kaluar 120 ditët e para të rëndësishme në rrugën e gjatë të procesit të tranzicionit, duhet të jemi të vetëdijshëm që kemi bërë vetëm 50 kilometrat e parë të maratonës. Si pasojë, do të ketë shumë sfida të mëdha para nesh të cilat do të kërkojnë fleksibilitet, pragmatizëm dhe vullnet për koordinim”, tha Oberneyer.
Në fund të fjalimeve, kryeministri Haradinaj i dha medaljen “hero i kombit” drejtorit në largim të NALT-it, Becker.