Abdula Berisha
05 Janar 2021•Përditësim: 06 Janar 2021
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, ka njoftuar se janë siguruar 500 mijë vaksina kundër koronavirusit të ri (COVID-19) nga kompania Pfizer, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zemaj thotë se konfirmimin për sigurimin e këtyre vaksinave e kanë dhënë përfaqësuesit e kompanisë Pfizer gjatë një takimi virtual të mbajtur sot.
"Siç e kemi bërë të ditur edhe më herët, Ministria e Shëndetësisë ka qenë e angazhuar prej muajsh në shumë drejtime për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, me qëllim të përmbushjes së obligimeve që kemi ndaj qytetarëve dhe ruajtjes së shëndetit publik të tyre", theksoi Zemaj.
Ai gjithashtu tha se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë mbesin të përkushtuara që qytetarëve t’u sigurojnë mbrojtje përmes vaksinimit gjithëpërfshirës kundër COVID-19.
Zemaj shtoi se përpos kësaj, Kosova do të marr nga mekanizimi Covax edhe 360 mijë vaksina falas për 20 për qind të popullatës.
"Vaksina do të sigurohen për të gjitha grupet e popullatës që duhet të mbulohen me vaksinim sipas projeksioneve të IKSHPK-së. Vaksina kundër COVID-19 do t’u jepet falas qytetarëve të vendit tonë", theksoi ai.
Sipas të dhënave të deritanishme, në Kosovë janë regjistruar 52.134 raste me COVID-19, prej të cilëve 42.948 janë shëruar, 1.351 kanë humbur jetën ndërsa numri i rasteve aktive është 7.835.