Agim Sulaj
21 Janar 2022•Përditësim: 22 Janar 2022
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës në raportin 24-orësh lidhur me rastet e reja të koronavirusit të ri (COVID-19) ka njoftuar se një person tjetër i infektuar me këtë virus ka vdekur, me çka numri i përgjithshëm i viktimave ka shkuar në 2.997, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 2.943 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 175.283.
Në 24 orët e fundit në institucionet shëndetësore janë testuar gjithsej 11.563 mostra të dyshuara për COVID-19, ndërsa deri më tani gjithsej janë kryer 1.516.877 teste.
Të dhënat e fundit kanë njoftuar për 317 persona që kanë fituar betejën me koronavirusin. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 159.890, ndërsa numri i rasteve aktive është 12.396.
Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 4.467 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.737.417 doza të vaksinës. Deri më sot 799.939 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.