Agim Sulaj
15 mars 2024•Përditësim: 17 mars 2024
Është mbajtur në Prishtinë konferenca "Zbatimi i Konventës së Istanbulit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu gjyqësor për përgjigje gjyqësore efektive", me fokus diskutimin rreth përmirësimit të zbatimit të kësaj konvente, ndjekjen penale të dhunës ndaj grave dhe fuqizimin institucional në këtë drejtim, raporton Anadolu.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë, përfshirë gjykatat dhe prokuroritë, si dhe përfaqësues të autoriteteve qeveritare, organizatave ndërkombëtare, përfaqësive diplomatike dhe shoqërisë civile.
Ministrja e Drejtësisë dhe Koordinatorja Kombëtare për mbrojtjen kundër dhunës në familje, dhunës kundër grave dhe dhunës në baza gjinore, Albulena Haxhiu, tha se për të pasur sukses në përpjekje asnjë nga hallkat e drejtësisë nuk duhet të dështojë.
Ajo tha se do të bëhet çmos që secila viktimë që potencialisht mund të jetë e dhunuar në të ardhmen e ka mbështetjen e plotë të institucioneve, sepse, kjo gjë, i ndihmon ato në raportim të dhunës dhe jo të heshtin.
"Për të pasur sukses në përpjekjen tonë, asnjë nga hallkat nuk duhet të dështojë, përndryshe do të ballafaqohemi sërish me vrasjen e grave dhe vajzave dhe me shkeljen e të drejtave të tyre", theksoi Haxhiu.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e Republikës së Kosovës, Gresa Caka-Nimani, tha se që në fillet e themelimit të saj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar dështimin e përmbushjes së detyrimeve pozitive të shtetit përkatësisht shkeljen e të drejtës në jetë në disa raste të vrasjeve të grave.
Ajo tha se inicialet e grave të vrara reflektojnë histori plagësh të pashëruara të familjeve në Kosovë.
"Inicialet e tyre reflektojnë histori të trishta të grave kosovare që janë nënshtruar dhunës në familje. Reflektojnë histori plagësh të pashëruara të familjeve dhe fëmijëve të tyre të cilët në shumicën e rasteve kanë qenë dëshmitarë të vrasjes së nënave të tyre. Reflektojnë dështimin e shtetit, dështimin e shoqërisë. Për më tepër, inicialet e tyre thërrasin për bashkërendim dhe mobilizim të menjëhershëm", theksoi Caka-Nimani.
Në këtë konferencë u prezantua edhe raporti që përfshin "Femicidin në Republikën e Kosovës: Korniza ligjore dhe praktika gjyqësore (2018-2022)", i cili ofron analizë të vendimeve gjyqësore relevante dhe një pasqyrë të kornizës ligjore përkatëse, duke shpërfaqur pikat e forta dhe mangësitë në legjislacion dhe në praktikën gjyqësore.
Rekomandimet e dala nga raporti rajonal, bëjnë thirrje për kriminalizim të femicidit, përmirësim të hetimeve, adaptim të protokolleve të veçanta dhe përmirësim në çështjen e mbledhjes së të dhënave, që do të mundësonin ndjekje penale më efektive në rastet e femicidit dhe formave tjera të dhunë në baza gjinore, si dhe do të sillnin drejtësi për viktimat, në linjë me Konventën e Istanbulit dhe standardet ndërkombëtare përkatëse tjera.
Konferenca e cila u organizua nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, u mbështet edhe nga Qendra AIRE.