Agim Sulaj
15 Mars 2021•Përditësim: 16 Mars 2021
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe Vjosa Osmani, kandidatja për presidente e cila garoi me të njëjtën parti në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, kanë takuar kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj dhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj, pas takimit me Kurtin dhe Osmanin të cilët i fituan zgjedhjet e 14 shkurtit me mbi 50 për qind të votave, tha se takimi ka qenë “konstruktiv dhe parimor” ndërsa si PDK, ai tha se kanë pasur kërkesa dhe çështje të qarta të cilat i kanë ngritur në këtë takim.
Hoxhaj tha se janë takuar për të biseduar për zgjedhjen e presidentit, duke shtuar se ka kërkuar fillimisht nga Kurti dhe Osmani “qartësi për qasjen e tyre në raport me politikën e jashtme”.

“Sjellja jonë në raport me krijimin e institucioneve të reja të vendit, para se ta marrim vendimin në organet e PDK-së, varet prej 10 qëndrimeve të cilat i kemi ngritur edhe në takim”, theksoi Hoxhaj, duke shtuar se mes tjerash kanë kërkuar sqarim edhe për atë se a do të plotësohet Marrëveshja e Washingtonit, si dhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Hoxhaj nuk i bëri të ditura përgjigjet e Kurtit dhe Osmanit rreth pyetjeve të shtruara nga ai, por tha se ato duhet t’i shpalosin vetë fituesit e zgjedhjeve.
Ndërkaq, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se partia e udhëhequr nga ai do të jetë në opozitë gjatë mandatit të ardhshëm, duke shtuar se do të bashkëpunojë me partinë në pushtet, në të mirë të interesit nacional.
“Detyra jonë nuk është ta përkrahim koncentrimin e pushteteve më këtë rast të zotëri Kurtit. Populli i ka dhënë shumicën për formimin e Qeverisë, por nuk ja ka dhënë edhe 2/3-tat për presidentin. Është përgjegjësia e tyre ta gjejnë formulën se si do t’i bëjnë 2/3-tat e votës sepse edhe kuorumi është votë. Si Aleancë ne do t’i marrim vendimet tona në institucionet tona të partisë pastaj do të veprojmë”, theksoi Haradinaj.
Nesër Kurti dhe Osmani pritet të vazhdojnë takimet me partitë e minoriteteve joserbe.
Të premten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit ku në vazhdim i është hapur rrugë formimit të institucioneve të reja, konstituimit të Kuvendit të Kosovës, formimit të Qeverisë si dhe më pas emërimit të Presidentit.
Vjosa Osmani, që aktualisht është ushtruese e detyrës së presidentit, mund ta mbajë këtë pozitë më së largu deri më 5 maj të këtij viti. Ndërsa për ri-emërimin e saj si presidente, nevojiten 61 vota të deputetëve, por gjithashtu në sallë duhet të jenë të pranishëm në zgjedhjen e presidentit jo më pak se 80 deputetë, apo dy të tretat e 120 deputetëve sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës.