Agim Sulaj
02 tetor 2019•Përditësim: 03 tetor 2019
Qeveria e Kosovës bashkë me Qendrën e Studentëve kanë prezantuar fushatën shtetërore kundër përdorimit të narkotikëve tek të rinjtë me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2019/2020, raporton Anadolu Agency (AA).
Shefi i Task-Forcës Antidrogë, Avdullah Hasani, njëherësh këshilltar i kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, tha se në këtë vit kalendarik, deri në tetorin e ardhshëm, Qeveria do të financojë 12 aktivitete në kuadër të kësaj fushate anti-narkotikë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës po i bashkohet vendeve të botës në luftën kundër narkotikëve edhe sot nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje dhe fillimit të kampanjës shtetërore anti-narkotik dhe siguri në shkolla, jo drogë tek të rinjtë, që po i bashkohet edhe Qendra e studentëve nëpërmjet drejtorit, apo drejtorisë së saj”, tha Hasani.
Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, ka thënë se qendra e studentëve është epiqendër e luftës kundër narkotikëve. Ndërsa premtoi mbështetje të madhe në luftimin e kësaj dukurie me të gjitha masat.
“Ne do të jemi pjesë aktive dhe Qendra e Studentëve me gjitha asetet, resurset e veta si njerëzore, si logjistike, do të jetë 100 për qind në përkrahje të kësaj fushate e cila është shumë me rëndësi për ndalimin e kësaj të keqe të madhe e cila na sillet edhe nëpër territoret tona. Fatmirësisht që kemi filluar këtë fushatë dhe sadopak mund ta parandalojmë që mos të përhapet në përmasat kur mund të jetë e pakontrollueshme”, tha Sfishta.
Ndryshe, në vitin 2007 në Kosovë, sipas statistikave të organizatës joqeveritare “Labyrinth” mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka qenë 21.2 vjeç, ndërsa në vitin 2018 mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë në 16.4 vjeç.
Në Kosovë numri i përdoruesve të substancave narkotike llogaritet të jetë rreth 35 mijë.