Agim Sulaj
01 Tetor 2019•Përditësim: 02 Tetor 2019
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) shënoi Ditën Ndërkombëtare të Personave të Moshuar, me moton "Rrugëtimi drejt barazisë moshore", raporton Anadolu Agency (AA).
Moshimi nuk e nënkupton paaftësinë, nuk e nënkupton sëmundjen apo nuk e nënkupton dënimin, u tha në këtë tubim nga të pranishmit, shumica të moshuar, të cilët poashtu thanë se objektivat e kësaj dite janë që të ndihmojnë, të ngritet vetëdija dhe parandalimi i pabarazisë.
Sipas përfaqësuesve të kësaj kategorie, në Kosovë 6,7 për qind e popullatës në Kosovë janë persona të moshuar dhe të njëjtët përballen me kushte jo të favorshme jetese në fusha të ndryshme.
Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së, tha se në mënyrë tradicionale po shënohet kjo ditë, me qëllim të mbështetjes dhe përmirësimit të gjendjes së popullatës së moshuar ne Kosovë.
"Duke pasur parasysh faktin që personat e moshuar përballen me gjendje të sëmundshmërisë kronike dhe vartësisë nga të tjerët. Ndryshimet e këtilla tregojnë se do të ketë gjithnjë e më shumë persona të moshuar që do të kenë nevojë për kujdes. Ndërkohë shumica e sistemeve shëndetësore në mbarë botën janë jo mirë të përgatitura për të adresuar këto nevoja. Konform këtyre nevojave, sistemet duhet të jenë në gjendje të ofrojnë kujdes të integruar si dhe personin e moshuar ta kenë në qendër", tha Ramadani.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, Faik Hoti, tha se moshimi nuk nënkupton sëmundjen apo paaftësinë. "Të moshuarit në Kosovë përballen me kushte jo të mira jetese, me pensione të ulëta. Përderisa edhe qasja në shërbime shëndetësore është e kufizuar", tha ai.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, Sergei Koryak tha se numri i të moshuarve në botë është në rritje, duke thënë se OBSH çështjen e të moshuarve e sheh si çështje të të drejtave humane.
Sipas tij, në botë janë mbi 700 milionë persona me moshë mbi 60 vjet, e në 10 vitet e ardhshme pritet të jetë mbi 1 miliardë e gjysmë.
"Qëllimi kryesor i këtij programi të OBSH-së është të promovojë cilësinë e lartë të jetës dhe gjendjen e mirë shëndetësore. Është e pamundur që në një fazë të caktuar kohore të mos kemi ndonjë gjendje shëndetësore jo të këndshme. 81 për qind nga ne kanë nevojë për medikamente. Mirëpo, e rëndësishme është që në të gjitha fazat e jetës të kemi një aktivitet fizik dhe një kualitet të jetës sa më të mirë", tha Koryak.
Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve është një ditë e veçantë për personat e moshës së tretë në të gjithë botën. Më 14 dhjetor 1990 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përcaktoi 1 Tetorin si ditën e respektit global për të moshuarit.