Agim Sulaj
16 qershor 2022•Përditësim: 16 qershor 2022
Qindra veteranë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë së Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), kanë protestuar para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës për të shprehur pakënaqësinë me miratimin në lexim të parë të ligjit që e përjashton kategorinë e tyre nga rritja e pagës minimale, raporton Anadolu Agency (AA).
Me flamuj kombëtarë dhe me thirrje “UÇK”, pasi janë mbledhur në numër të madh para Kuvendit, ata kanë shtyrë pas pjesëtarët e Policisë dhe kanë arritur pothuasje deri në derën e hyrjes në objektin e Kuvendit.
Veteranët kanë brohoritur “Policia është e jona”, duke dashur të sqarojnë se nuk dëshirojnë të përballen me policinë, derisa më vonë, Policia u ka shpërndarë ujë të pijshëm veteranëve.
Aktualisht ata po vazhdojnë të qëndrojnë në oborrin e Kuvendit dhe Qeverisë të cilat i ndajnë vetëm disa metra distancë.
Veteranët e UÇK-së kanë paralajmëruar se po që se hyn në fuqi ligji për pagën minimale i cili u votua në lexim të parë ditën e martë dhe me të cilin nuk parashihet të ketë rritje edhe të pensioneve të veteranëve, lënda do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë ata janë shprehur optimist se gjykata “100 për qind to t’i konstatojë shkeljet”.
Gjatë zhvillimit të protestës, seanca e Kuvendit e planifikuar të zhvillohet sot është penguar nga opozita, ku deputetë të saj nuk kanë lejuar kolegët e tyre ta marrin fjalën nga foltorja kryesore.
Nga partia më e madhe opozitare në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar se “s’do ketë normalitet në Kuvend derisa të trajtohen veteranët”.
Një veteran i luftës aktualisht paguhet 170 euro. Sipas projektligjit të cilin e votuan shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës paga minimale do të jetë 264 euro ndërsa aktualisht është 130 dhe 170 euro.
Për këtë kërkesë të OVL-UÇK-së, ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se neni që e lidh pagën minimale me pensionin e veteranëve është fshirë nga Ligji për pagën minimale qysh në vitin 2017.
Murati ka thënë se 80 milionë euro në vit sillen pagesat për veteranët ndërsa ka kërkuar që fillimisht të ketë një pastrim të listave të veteranëve, në mënyrë që të trajtohen drejtë ata të cilët “njëmend kanë luftuar”.