Abdula Berisha
01 Mars 2023•Përditësim: 02 Mars 2023
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me një fjalim zyrtar hapi sot Forumin e Dytë Ekonomik në Shkup, të organizuar nga Forumi Ekonomik Delphi dhe Shoqata Helenike e Biznesit, raporton Anadolu.
Para fjalimit të tij, Kovaçevski shprehu ngushëllime për aksidentin tragjik hekurudhor që ndodhi dje në Greqi.
Ai u uroi të pranishmëve një forum të suksesshëm ekonomik, duke theksuar se ky është një nga ngjarjet më të mëdha rajonale.
Duke folur për krizën ekonomike dhe energjetike të shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, ai tha se Qeveria e Maqedonisë së Veriut arriti të zbusë tronditjen e çmimeve, duke ndarë 760 milionë euro, përkatësisht 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për të trajtuar krizën.
"Jam krenar që mund të përcjell konkluzionet e Konferencës së Sigurisë së Mynihut të mbajtur së fundmi, ku Maqedonia e Veriut u njoh si faktor i stabilitetit në Ballkan. E kam thënë dhe do të theksoj përsëri, nuk është më çështja nëse Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e BE-së, por kur do të bëhet pjesë e BE-së", tha Kovaçevski.
Ai foli edhe për përpjekjet e qeverisë për diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz natyror si dhe përpjekjet për transformimin e energjisë dhe pavarësinë energjetike.
"Duke rritur kapacitetin aktual të gazsjellësit me Bullgarinë, u bë i mundur diversifikimi i burimeve tona të furnizimit si dhe përdorimi i të gjitha burimeve që janë aktualisht të pranishme në tregun e gazit natyror në rajon. Me këtë marrëveshje ne reduktuam varësinë nga gazi rus që kishte vendi në dekadat e kaluara. Qëllimi ynë është gazifikimi i plotë i vendit dhe lidhja me fqinjët në të cilin do të fokusohemi në periudhën e ardhshme", tha Kovaçevski.
"Gjithashtu prioriteti ynë është transformimi energjetik dhe pavarësia energjetike ndërsa vendi ynë është lider rajonal në transformimin e energjisë, me potencial të madh që të bëhet një qendër e energjisë së gjelbër", theksoi Kovaçevski.
Në Forumin e Dytë Ekonomik në Shkup, fjalime do të ketë edhe Komisioneri evropian për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Varheyi; kryeministri i Kosovës, Albin Kurti; kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të politikës, ekonomisë, sektorit të biznesit dhe teknologjisë nga vendi dhe rajoni.
Gjatë forumit do të mbahen një sërë panelesh, ku do të diskutohet për agresionin rus kundër Ukrainës, anëtarësimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian (BE), perspektivën energjetike në rajon, investimet në infrastrukturë si dhe strategjitë për zhvillimin ekonomik dhe transformimin dixhital.