Fatjon Cuka
03 qershor 2020•Përditësim: 04 qershor 2020
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me votimin e Qeverisë së re të Kosovës, duke theksuar se “U uroj rrugëtim të mbarë qeverisë së re dhe opozitës”, transmeton Anadolu Agency(AA).
Kryeministri Rama ka publikuar urimin e tij për Qeverinë e re të Kosovës në rrjetet sociale.
“U uroj rrugëtim të mbarë qeverisë së re të Kosovës e opozitës gjithashtu, në shërbim të interesit të popullit e të shtetit të tyre, me besim e shpresë se pas një periudhe jo të lehtë përpëlitjesh në procesin e maturimit demokratik, do të bëjnë së bashku punë të mira për Kosovën”, ka shkruar Rama.
Me shumicë votash Kuvendi i Kosovës sot votoi qeverinë e re me kryeministër Avdullah Hotin, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe si dhe parti të vogla të minoriteteve.