Agim Sulaj
05 gusht 2026•Përditësim: 05 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Ozkan Ulutas, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, takimi u zhvillua në kuadër të konsultimeve të vazhdueshme dhe koordinimit të rregullt ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it.
“Gjatë tij u diskutua për situatën e sigurisë në vend dhe në rajon, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë, institucioneve të sigurisë dhe KFOR-it, në shërbim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit”, njofton Zyra e Kryeministrit.
Tutje bëhet e ditur se kryeministri Kurti e vlerësoi komunikimin e mirë dhe të vazhdueshëm me KFOR-in dhe theksoi gatishmërinë e Qeverisë për bashkëpunim të ngushtë për një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët.
Kryeministri falënderoi komandantin Ulutas për kontributin dhe për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e vendit.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punon në koordinim të ngushtë.