Agim Sulaj
20 Prill 2020•Përditësim: 20 Prill 2020
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në Qeverinë e Kosovës përfaqësues politikë për të diskutuar rreth menaxhimit të situatës së krijuar me përhapjen e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Thirrjes së tij i është përgjigjur vetëm Partia Demokratike e Kosovës (PDK), por edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Kurti, pas takimit tha se po "punojmë me gjithë kapacitetin në luftimin e shpërndarjes së koronavirusit dhe me të gjitha ministritë nuk po ngecim në asnjërën prej detyrave që kemi".
Sa i përket 1000 testeve të pranuara nga Ministria e Shëndetësisë nga Serbia më 17 prill, Kurti tha se një gjest i tillë nuk duhet të politizohet dhe se për këto teste dhe përdorimin e testeve në përgjithësi vendosin Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK).
Kurti tha se nëse Kosova nuk do t’i merrte këto 1000 teste, do të ishte lehtë e imagjinueshme që do të kishte ndonjë reagim të serbëve, "nga ndonjë komunë të nxitur prej ndonjë strukture që nuk është e shtetit tonë, që të ankoheshin se nuk po mund të testohen".
"Le të mos i politizojmë gjestet e tilla, duam raporte të mira fqinjësore. Duam sa më shumë bashkëpunim rajonal në luftimin e përbashkët të koronavirusit i cili nuk na dallon për nga tiparet tona si individë apo komunitete", ka thënë Kurti.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pjesëmarrja e saj në këtë takim me kryeministrin në detyrë Kurti ka qenë për të treguar përkushtimin e institucionit të Kuvendit për projektligjin me të cilin do të mundësohej të bëhej "ndalesa policore" në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Ajo tha se kur bëhet fjalë për luftimin e COVID-19, ndarjet politike në vend duhet të lihen anash. Osmani duke folur për 1000 testet nga Serbia, ka thënë se një gjë e tillë nuk duhet të politizohet, ngase "të gjithë i dinë krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë".
"Unë besoj që jo vetëm ne në Kosovë por e gjithë bota e ka të qartë se cilat janë krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë. Ato kanë ndodhur para syve të botës dhe në të njëjtën kohë janë dëshmuar në gjykata ndërkombëtare. Kështu që, Serbia tani në këtë kohë të pandemisë edhe mund të ketë dërguar ndihma por kjo assesi nuk e shlyen të kaluarën e afërt, të cilën e kemi përjetuar secili prej nesh", tha Osmani.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë se Qeveria Kurti është dorëzuar para Serbisë duke pranuar teste nga Serbia, dhe duke humbur kontrollin në veriun e vendit.
Krasniqi i pyetur rreth votimit për një qeveri të re eventuale në Kuvendin e Kosovës, tha se ata votojnë kundër cilësdo Qeveri ku aty nuk udhëheqë PDK-ja.
"Ne jemi kundër vakumit politik. Ne i kemi bërë ftesë publike Albin Kurtit që ta krijojë qeverinë e re sepse mandatin e ka pasur nga Presidenti. Por, nëse ky nuk është në gjendje që ta bëjë një gjë të tillë dhe duket që nuk është sepse i ka më shumë se 84 deputetë që ja kanë marrë besimin në Kuvendin e Kosovës, ja kanë hequr legjitimitetin, atëherë në përputhje me Kushtetutën mund të ketë një solucion tjetër. Por, është jetike që Kosova të ketë një qeveri me legjitimitet të plotë", ka thënë Krasniqi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të dielën shkroi në rrjete sociale se gjatë kësaj jave do të ndërmarrë hapa kushtetues për formimin e Qeverisë së re "me një legjitimitet të plotë nga Parlamenti, e aftë për të luftuar COVID-19 dhe për t’i shërbyer popullit".
Thaçi që nga rënia e Qeverisë së Kosovës, ka kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, emrin e një mandatari për krijimin e një Qeverie të re. Ndërkaq ky i fundit ka deklaruar se dëshirojnë zgjedhje posa të përfundojë situata me pandeminë.