Agim Sulaj
02 Dhjetor 2024•Përditësim: 02 Dhjetor 2024
Deputetë të Kuvendit të Kosovës po diskutojnë për qeverisjen katërvjeçare të kryeministrit Albin Kurti, raporton Anadolu.
Në seancën parlamentare të iniciuar nga shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, u akuzua qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti për dështime dhe skandale të ndryshme.
Tahiri tha se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti ka shënuar shkelje rekorde të Kushtetutës së Kosovës.
"Kjo qeveri më 22 mars 2021, ky kryeministër ka sjellë një ekspoze, e cila fund dhe krye ka qenë një pamflet me gjuhë të thatë dhe e cila po vërtetohet që katër vjet pas ka arritur të jetë vetëm një listë dëshirash e këtij kabineti qeveritar, e kryeministrit dhe jo veprim", theksoi Tahiri duke folur për plan-programin qeverisës të Kurtit.
Ai tutje përmendi edhe si skandalin e dytë më të madh, pas shkeljeve kushtetuese, çështjen e tenderëve njëburimorë ndërsa po ashtu përmendi edhe çështje tjera ku, sipas tij, ka dështuar kjo qeveri.
Kryeministri Kurti tha se qeveria e tij ka përmirësuar dukshëm disa fusha, derisa këto kanë ndikuar edhe në një jetë më të mirë për qytetarët. Sa i përket ekonomisë, Kurti tha se ajo ka shënuar rritjen më të madhe, ku në tre vitet e fundit ka pasur rritje mesatarisht prej 6.36 për qind të bruto produktit vendor. Ai tha se kjo rritje ekonomike është bërë derisa borxhi publik i shtetit është zvogëluar.
"Papunësia që dikur ndjehej si një re e rëndë mbi familjet kosovare, sot ka rënë nga 25.8 për qind në 10.7 për qind. Sfidë që na ngelet në këtë aspekt është aktivizimi më i madh i grave, sepse numri grave që janë inaktive është më i madh sesa që duam e duhet", theksoi Kurti.
Ai potencoi se në infrastrukturë, kjo qeveri ka shtruar rrugë me prioritet edhe në veriun e Kosovës për t'i lidhur fshatrat mes vete dhe gjithashtu me komuna në jug, me 63.3 kilometër në total.
"Po ndërtohen e rinovohen shtëpi e po modernizohet infrastruktura e telekomunikimit dhe internetit për shërbimet 4G Plus dhe 5G. Gjithnjë e më shumë qytetarë po bashkëpunojnë me shtetin e Kosovës. 4.040 qytetarë të komunitetit serb i kanë dorëzuar targat ilegale të lëshuara nga Serbia dhe janë pajisur me targa zyrtare të Kosovës", tha Kurti duke shtuar se:
"6.325 qytetarë të komunitetit serb kanë invaliduar patentë shoferët ilegalë të Serbisë dhe janë pajisur me ata zyrtarë të Kosovës dhe pikërisht ky sukses i shtetit tonë të përbashkët edhe në veri të Kosovës, e ka rritur nervozën dhe agresivitetin në Beograd".
Pas fjalës së iniciuesit të seancës dhe kryeministrit Kurti, fjalën e kanë kërkuar shumë deputetë të Kuvendit nga shumica dhe opozita parlamentare.
Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi tha se Qeveria ka dështuar t'i përmbushë premtimet e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai përmendi disa nga ligjet dhe vendimet të cilat u shpallën antikushtetuese.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri tha se fenomeni më i dhimbshëm që më së shumti e ka goditur Kosovën, është emigrimi i qytetarëve të vendit.