Abdula Berisha
01 korrik 2021•Përditësim: 01 korrik 2021
Kanë filluar panel diskutimet e para të Forumit të Prespës për Dialog të cilin Qeveria e Maqedonisë së Veriut e organizon për herë të parë dhe i cili mbledh në një vend liderë shtetërorë nga vendi dhe rajoni, por edhe përfaqësues të vendeve dhe organizatave të shumta, raporton Anadolu Agency (AA).
Konferenca e parë ndërkombëtare në kuadër të forumit, i cili sot dhe nesër organizohet në Ohër dhe Oteshevë të Maqedonisë së Veriut, është titulluar “Ballkani Perëndimor: Pjesa që mungon për të qenë Evropa e plotë".
Në kuadër të shumë panel diskutimeve do të marrin pjesë gjithsej 300 të ftuar, duke përfshirë krerët shtetëror nga Maqedonia e Veriut dhe rajoni, duke përfshirë edhe zv/ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Faruk Kaymakcı. Gjithashtu, praninë e tyre e kanë konfirmuar edhe zyrtarë dhe ish zyrtarë të administratës së NATO-s, SHBA-së, Bashkimit Evropian (BE), përfaqësues të organizatave joqeveritare, si dhe gazetarë të shumtë.
Temat që do të diskutohet në panel diskutimet kryesisht janë të fokusuara në integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Në paralajmërimin e bërë javën e kaluar, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se kjo është konferenca më e madhe ndërkombëtare që vendi e ka organizuar ndonjëherë.
Në faqen zyrtare të forumit thuhet se FPD është platformë e krijuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për t’u mundësuar vendeve, udhëheqësve, organizatave dhe qytetarëve të ndërtojnë marrëdhënie afatgjata dhe t’i forcojnë partneritetet.