Abdula Berisha
07 korrik 2021•Përditësim: 08 korrik 2021
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut, Naser Nuredini, e vlerësoi si sukses historik shpalljen e një pjese të Malit Sharr si park kombëtar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media, Nuredini rikujtoi se Ligji për shpalljen e një pjese të Malit Sharr si park kombëtar, apo zonë e mbrojtur e kategorisë së dytë, u miratua javën e kaluar në Kuvend, ndërsa këtë javë ligji u nënshkrua nga presidenti Stevo Pendarovski.
Nuredini theksoi se ky është parku i katërt kombëtar, por është i pari që shpallet pas pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, ky është një hap i madh me të cilin janë siguruar përfitime të mëdha për natyrën, por edhe për brezat që vijnë.
"Me miratimin e këtij ligji, vihet nën mbrojtje dhe mundësohet krijimi i sistemit për menaxhim të qëndrueshëm të zonës që është një thesar i biodiversitetit, shtëpi e 2/3 të të gjitha llojeve të bimëve në Maqedoninë e Veriut, të florës dhe faunës së pasur endemike", theksoi Nuredini.
Ai tha se sipërfaqja e përgjithshme e parkut është 62.705 hektarë, e ndarë në tre zona të mbrojtjes. Gjithashtu, ai shtoi se është parashikuar një "rrip mbrojtës" i qendrës turistike "Kodra e diellit" me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm të saj.
Nuredini më tej shtoi se në përputhje me ligjin, Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të krijojë një institucion publik për parkun kombëtar në afat prej tre muajsh.
Ai gjithashtu tha se ekspertë ndërkombëtarë në bashkëpunim me banorët lokalë janë duke punuar në përgatitjen e planit të menaxhimit, i cili do të përcaktojë aktivitetet që lejohen dhe ndalohen si dhe afatin kohor të tyre.