Dzihat Aliju
05 Maj 2026•Përditësim: 05 Maj 2026
Maqedonia e Veriut dhe Kosova do ta thellojnë bashkëpunimin në mbrojtjen e mjedisit, transmeton Anadolu.
Në kuadër të Forumit të 5-të Ndërkombëtar për Ujërat në Stamboll, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut, Muamet Hoxha, zhvilloi takim bilateral me ministren e Mjedisit të Kosovës, Fitore Pacolli.
Në takim u diskutua për avancimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe menaxhimit të burimeve ujore, si dhe për një qasje të përbashkët ndaj sfidave rajonale të lidhura me ndryshimet klimatike.
"Të dyja palët theksuan rëndësinë e zbatimit të standardeve evropiane dhe shkëmbimit të përvojave nga ky proces", thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Bashkëbiseduesit shprehën gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit në periudhën e ardhshme, përmes iniciativave dhe projekteve të përbashkëta që do të kontribuojnë në menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe mbrojtjen e mjedisit në rajon.