Agim Sulaj
24 Mars 2021•Përditësim: 25 Mars 2021
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, e njohur ndryshe edhe si Gjykata Speciale për krimet e luftës, është mbajtur konferenca e katërt statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Edhe kjo konferencë, sikurse konferenca e fundit, u fokusua tek organizimi i shkëmbimeve ndërmjet palëve.
Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se sa i takon përditësimit të nxjerrjes së materialeve, pas konferencës së fundit, Prokuroria ka nxjerrë edhe dy pako me material, ndërsa po punojnë që t’i shikojnë “në imtësi të gjitha materialet” dhe deklaratat e dëshmitarëve.
“Sa i takon vëllimit, deklaratat e mëparshme të gjysmës së numrit të dëshmitarëve janë përpunuar dhe janë vënë në dispozicion dhe janë pjesë e kërkesës për masat mbrojtëse”, ka thënë prokurorja e rastit.
Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi u shpreh kritike ndaj sistemit të nxjerrjes së materialeve, duke e cilësuar atë si jo të dobishme, ndërkaq, theksoi se atmosfera në mes të mbrojtjes dhe prokurorisë është "gjithnjë e më jobashkëpunuese".
Mbrojtja e Thaçit madje tha se ndonëse prokuroria ia ka ofruar dokumentin prej mbi 60 faqesh të intervistës së Thaçit para Dhomave të Specializuara (të dhënë në korrikun e kaluar), ky institucion nuk i ka ofruar mbrojtjes dokumentet që i janë paraqitur Thaçit gjatë intervistimit.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar në të ardhmen duhet të prioritizojë nxjerrjen e materialeve që kanë të bëjnë me dëshmitarët, dhe të cilat mund të jenë materiale shfajësuese, gjë e cila sipas tij “do ta ndihmonte mbrojtjen në punën e saj”.
Gjithashtu, gjykatësi në këtë seancë ka kërkuar një datë nga prokuroria për përfundimin e hetimeve dhe dorëzimin e dosjes paraprake, ndërsa ZPS ka thënë se materialet t’i dorëzojnë në javën e dytë të shtatorit 2021.
Sa i përket fillimit të hetimeve nga pala mbrojtëse, avokati i Thaçit, Pierre Richard Prosper, ka thënë se nuk janë në gjendje t’i fillojnë punët hetimore në prill, kjo edhe për shkak të nxjerrjes së materialeve.
“Unë vërej që prokuroria e ka dorëzuar një vit më herët aktakuzën dhe thonë që ende janë duke kryer hetime dhe kjo më duket e çuditshme. Ne nuk kemi mundur të udhëtojmë në Kosovë. Thaçin nuk e kam takuar që prej kohës kur e kanë arrestuar. Ne nuk kemi mundur t’i diskutojmë materialet”, ka thënë ai, duke shtuar se derisa të jenë në gjendje të takohen, nuk mund të ecin përpara.
Avokati i Rexhep Selimit, David Young, ka thënë se në teori një pjesë e hetimeve mund të fillojë në prill, por ka theksuar se hetimi është ngadalësuar, për shkak të pandemisë së COVID-19. Sipas tij, në Kosovë nuk ka plan për vaksinim dhe është i vetmi vend në Evropë që nuk ka arritur asnjë vaksinë dhe kjo e bën më të vështirë punën e mbrojtjes.
Aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa është bërë publike më 5 nëntor, ditën kur ai hoqi dorë nga pozita e Presidentit të Kosovës dhe të njëjtën ditë u transferua për në Hagë.
Mbi ish-presidentin Thaçi dhe ish-pjesëtarët tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë, rëndon akuza në të cilën thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, të cilët gjenden në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, janë deklaruar të pafajshëm që në seancat e para.