Furkan Abdula
19 Janar 2024•Përditësim: 22 Janar 2024
Me rastin e festës ortodokse “Uji i Bekuar”, në mesditë në ujërat e lumit Vardar rreth 150 kandidatë u përpoqën në kapjen e kryqit të hedhur nga kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, kryepeshkopi Stefan, raporton Anadolu.
Me rastin e festës është mbajtur edhe liturgji në kishën “Lindja e Shën Mërisë” në Shkup, pas çka kryepeshkopi Stefan hodhi kryqin në ujërat e lumit Vardar nga ura “Liria” në qendër të Shkupit, i cili këtë vit u kap nga 17-vjeçari Gjorgji Nikollovski nga Shkupi.
Si tradicionalisht, në ceremoninë e sivjetshme morën pjesë mijëra qytetarë, por edhe zyrtarë, ndër të cilët edhe kryeministri Dimiatar Kovaçevski, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, dhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
Kryeministri Kovaçevski, duke folur për media, uroi suksese dhe lumturi për të gjithë me rastin e festës.
“Në atë frymë dua t’ua uroj festën të gjithë qytetarëve tanë dhe t’u uroj një vit të suksesshëm, festë të mbarë, të gjithë atyre që e festojnë festën e emrit”, tha Kovaçevski.
Kjo festë e krishtere u kremtua me liturgji dhe hedhje të kryqit në qytetet anembanë vendit.
Sipas besimtarëve ortodoks, hedhja e kryqit do të thotë bashkimi me Krishtin dhe besohet se ai që arrin të kap kryqin do ta ndjek mirëqenia, shëndeti dhe fati gjatë gjithë vitit. Kjo festë lidhet me pagëzimin e Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan dhe Shën Jovani, i cili atëherë quhej Pagëzuesi.
Dita e hedhjes së kryqit, 19 janari, që tradicionalisht organizohet në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut, në pajtim me Ligjin për festa, është ditë jo pune për besimtarët ortodoksë.