Agim Sulaj
23 nëntor 2026•Përditësim: 23 nëntor 2026
Platforma që mundëson realizimin e pagesave të menjëhershme TIPS Clone është funksionalizuar tashmë plotësisht në pesë vende të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mali të Zi, transmeton Anadolu.
Prezantimi zyrtar i platformës u mbajt në Romë, në një ceremoni të organizuar nga Banka e Italisë, ku morën pjesë guvernatori Fabio Panetta dhe guvernatorët e pesë bankave qendrore pjesëmarrëse.
TIPS Clone është platformë e pavarur, e zhvilluar dhe operuar nga Banka e Italisë, e cila mundëson realizimin dhe shlyerjen e pagesave në kohë reale, 24 orë në ditë dhe gjatë gjithë vitit, në euro dhe monedhat kombëtare të vendeve pjesëmarrëse.
Projekti u inicua në janar të vitit 2025, ndërsa platforma nisi funksionimin më 20 korrik 2026, fillimisht në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi. Gjatë nëntorit të këtij viti përfunduan konfigurimet teknike edhe për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke bërë që platforma të jetë tashmë plotësisht funksionale në të pesë vendet.
Sipas njoftimit, TIPS Clone synon të mundësojë pagesa më të shpejta dhe efikase për qytetarët dhe bizneset, si dhe të forcojë bashkëpunimin ndërmjet bankave qendrore dhe përafrimin me standardet evropiane në sektorin e pagesave.
Ky projekt konsiderohet hap drejt integrimit më të madh të vendeve të Ballkanit Perëndimor në systemin evropian të pagesave dhe forcimit të lidhjeve ekonomike e financiare me Bashkimin Evropian (BE).