Mustafa Talha Öztürk
23 Dhjetor 2021•Përditësim: 23 Dhjetor 2021
Në një hap kundër nxitjeve separatiste nga disa prej liderëve serbë të Bosnjë dhe Hercegovinës, policia e vendit sot bastisi selinë e Partisë Popullore Serbe (NPS), transmeton Anadolu Agency (AA).
Forcat e Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes kryen operacionin në qytetin e Banja Lukës, kryeqyteti administrativ i entitetit Republika Srpska.
Operacioni erdhi pasi prokurorët në Bosnjë dhe Hercegovinë nisën të hënën një hetim ndaj disa politikanëve të Republikës Srpska, disa javë pasi ligjvënësit serbë në një seancë të asamblesë kërcënuan të largoheshin nga federata nëse qeveria nuk zgjidh sfidat politike të vendit.
Pas bastisjes së selisë së NPS-së, forcat e sigurisë kontrolluan veçmas selinë e Lëvizjes Kombëtare Demokratike (NDP) për të kërkuar dokumente si pjesë e hetimit të një sulmi ndaj rendit kushtetues, thuhet në një deklaratë zyrtare.
Të hënën, prokurorët thanë se kishin nisur një hetim pas deklaratave provokuese të bëra më 11 dhjetor nga Milorad Dodik, anëtari serb i Këshillit Presidencial të vendit, i cili u tha ligjvënësve të Republikës Srpska se shpërbërja e Bosnjë dhe Hercegovinës është “e pashmangshme” nëse “nuk mund të kapërcejmë situatat e vështira në të cilat ndodhemi”.
Dodik deklaroi se në një skenar të tillë, Republika Srpska “do të largohej nga vendi” dhe ligjvënësit bënë plane për të krijuar ligje dhe procedura të ndara qeveritare.
Prokuroria tha të hënën se seanca e ligjvënësve serbë ishte sulm ndaj rendit kushtetues dhe Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës së Bosnjës së viteve 1992-95.
Ambasadat e SHBA-së, Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe delegacioni i Bashkimit Evropian kanë kritikuar ashpër këtë lëvizje dhe i kanë kërkuar asamblesë serbe të heqë dorë nga vendimet e saj.
Turqia po ashtu ka bërë deklarata të ngjashme.
“Turqia i sheh vendimet e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska si të dëmshme për kuadrin kushtetues dhe ligjor dhe të dëmshme për të ardhmen paqësore dhe të begatë të qytetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës”, ka thënë Ministria e Jashtme e Turqisë.
Ndërkohë, anëtari serb i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës kritikoi sot bastisjet e policisë në selitë e partive politike serbe.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Milorad Dodik tha se ky proces i nisur nga Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës është “politik” dhe mund të destabilizojë vendin.
“Kjo është një përpjekje për të destabilizuar Republikën Srpska në Federatën e Bosnjë dhe Hercegovinës në çdo kuptim. Ne do të ndalojmë aktivitetet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës në territorin e Republikës Srpska. Do të sigurojmë formimin e një gjyqësori të paanshëm. Brenda një muaji do të krijojmë Këshillin tonë të Lartë të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, tha Dodik.