Agim Sulaj
02 Tetor 2025•Përditësim: 02 Tetor 2025
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar në Kopenhagë me kryeministrin e Holandës, Dick Schoof, transmeton Anadolu.
Pas takimit, presidentja Osmani tha se me kryeministrin Schoof diskutoi zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Holandës, si dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik.
“Gjithashtu, kërkova mbështetjen e Holandës për finalizimin e procesit të heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë”, shkroi Osmani.
Presidentja Osmani po merr pjesë në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC) bashkë me 45 liderë evropianë përfshirë edhe ata të institucioneve të BE-së, në Kopenhagë.
EPC-ja është platformë për liderët evropianë ku diskutohen çështjet kryesore me të cilat përballet kontinenti.
E nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.