Agim Sulaj
25 Maj 2022•Përditësim: 25 Maj 2022
Është hapur në Prishtinë edicioni i 21-të i panairit ndërkombëtar EXPOKOS i cili i dedikohet bizneseve të sektorit të ndërtimit, energjisë, makinerisë, mbrojtjes dhe sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Panairi i cili organizohet nga kompania "Congress & Event Organization" mblodhi dhjetëra biznese të sektorëve të lartpërmendur, ministra të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Kosovë dhe përfaqësues të ambasadave të shteteve tjera pjesëmarrëse në këtë panair.
Përpos 22 bizneseve nga vendi, në këta panair kanë zënë vend edhe biznese nga Gjermania, Turqia, Italia, Austria, Shqipëria dhe Greqia.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në fjalën e tij para të pranishmëve, tha se sektorët si ndërtimi, energjia, makineria, mbrojtja dhe siguria janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të shtyrë përpara agjendat qeveritare.
Bislimi tha se pjesëmarrja e bizneseve të huaja në këtë panair tregon për avancimin e kësaj ngjarjeje, nga e cila edhe pritet që të zgjerohen mundësitë për investim në Kosovë.
Ai tha se Kosova e ka mbyllur vitin 2021 me rritje ekonomike, ndërsa energjia dhe teknologjia kanë qenë ndër top prioritetet ku është investuar më shumë.
"Shpresoj që ky panair të mbledhë sa më shumë biznese dhe investitorë në mënyrë që të shohin se çfarë mundësi ofrohen në sektorët në të cilët ata punojnë në vendin tonë", theksoi Bislimi.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se Kosova është një shtet i sigurt sidomos tani me përparësitë që ka pas krizës së COVID-19 dhe me ndryshimet gjeopolitike, ku përpos rritjes ekonomike ka përparësi tjera për rritje të demokracisë dhe investime.
"Kosova ofron një kosto të favorshme qoftë në operime, qoftë në transport për shkak të afërsisë gjeografike, për shkak të qasjes së drejtpërdrejtë në tregun evropian dhe më gjerë në Amerikë dhe më larg", tha Hajdari.
Panairi do të jetë i hapur për të interesuarit për dy ditë, më 25 dhe 26 maj.