Agim Sulaj
03 Qershor 2022•Përditësim: 04 Qershor 2022
Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës kanë shënuar Ditën Botërore të Mjedisit me mbjelljen e 100 drunjëve të blirit në lagjen "Arbëria" në kryeqytet, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se ky veprim simbolik i mbjelljes së drunjëve do të ndihmojë që Prishtina të bëhet qytet më i gjelbër dhe të përfundojë korridori i saj i gjelbër në përputhje me zbatimin e agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor në Kosovë.
“Kosova ka bërë disa përparime, por, ende vijon të përballet me sfida dhe probleme të mëdha mjedisore duke përfshirë ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës. Nga ana e saj Zyra e BE-së në Kosovë që nga 2015 ka investuar më shumë se 100 milionë euro në kuadër të mbrojtjes së mjedisit në projekte të ndryshme nëpër Kosovë”, theksoi Szunyog.
Ai tha se fokusi i mbështetjes së zyrës së BE-së ka qenë në përmirësimin e efikasitetit për ngrohje, trajtimin e ujërave të zeza, përmirësimin e ujit të pijshëm dhe investimi në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se transformimi i kryeqytetit në një qytet të gjelbër po vazhdon.
Ai tha se komuna aktualisht po bashkëpunon edhe me Bankën Botërore për ta transformuar mënyrën se si shtëpitë private në kryeqytet ngrohen, si njëra nga problemet kyçe të ndotjes së ajrit, sidomos gjatë dimrit.
“Janë një numër i madh i iniciativave transformuese të kryeqytetit, për të mirën e kryeqytetit, për të mirën e fëmijëve tanë, të ardhmes tonë dhe të krijimit të një Prishtine të përjetimeve pozitive”, theksoi Rama.
Kryeqyteti kosovar, Prishtina, disa herë është radhitur si kryeqyteti me ndotjen më të madhe të ajrit në botë për shkak të termocentraleve, ngrohjes me thëngjill të shtëpive private dhe automjeteve.
Dita Botërore e Mjedisit e cila organizohet zakonisht më 5 qershor të çdo viti është mjeti kryesor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për inkurajimin e vetëdijes dhe veprimit për mbrojtjen e mjedisit tonë në nivel global dhe lokal.