Fatjon Cuka
05 Nëntor 2020•Përditësim: 06 Nëntor 2020
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me dorëheqjen e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Hashim Thaçi ka gjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacenueshme të Luftës Çlirimtare", shkruan Rama në reagimin e tij të publikuar në rrjetet sociale.
Rama shkruan më tej se "Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj".
Kujtojmë se sot Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga posti pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale për krime lufte me seli në Hagë të Holandës.
Në fund të qershorit, Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka paraqitur Dhomave të Specializuara aktakuzë ku presidenti Thaçi akuzohet "për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura" gjatë luftës së fundit në Kosovë.