Zylfije Adem Jakupi
01 Janar 2022•Përditësim: 01 Janar 2022
Pas natës së vitit të ri në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ka gdhirë një ditë me diell, por rrugët janë pothuajse tërësisht të zbrazëta, raporton Anadolu Agency (AA).
Edhe pse nuk pati asnjë organizim për pritjen e vitit të ri 2022 për shkak të masave kundër COVID-19, Prishtina hyri në vitin e ri me një shfaqje të madhe fishekzjarresh 15-minutëshe ndërsa qytetarët u argëtuan në shtëpitë e tyre me familjarë e miq.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit në Kosovë është në fuqi shtetrrethimi, i cili zgjat nga mesnata deri në orën 5 të mëngjesit.
Gjatë natës së ndërrimit të viteve shtatë persona të lënduar nga mjete piroteknike dhe një i plagosur nga një plumb bredhës kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Foshnja e parë në vitin 2022 është djalë i lindur një minutë pas mesnate në Gjinekologjinë e Prishtinës.
Ndonëse nuk ka pasur kufizime të energjisë elektrike, disa pjesë të Prishtinës, por edhe disa vendbanime në komunën e Malishevës dhe Ferizajt, kanë mbetur pa energji elektrike natën e ndërrimit të viteve për shkak të mbingarkesës së rrjetit elektrik.