Fatjon Cuka
16 Tetor 2023•Përditësim: 17 Tetor 2023
Në Tiranë u mbajt Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve pjesëmarrëse në këtë proces, ndërsa në fokus të punimeve ishin çështjet në lidhje me integrimin e rajonit në tregun unik, procesin e integrimit evropian, bashkëpunimin rajonal, mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe digjital në Ballkanin Perëndimor, raporton Anadolu.
Në përfundim të punimeve të samitit, kryeministri i Shqipërisë̈, Edi Rama, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, mbajtën një konferencë për mediat, duke u fokusuar në punimet e Procesin e Berlinit, zhvillimet në rajon dhe çështje të tjera.
Kryeministri Rama theksoi se samiti u mbyll me diskutime mjaft të frytshme, me shkëmbime vërtetë të hapura dhe me një ndjenjë të vërtetë miqësie.
“Ky është një moment i vështirë në kohë për çdo vend dhe sfidat me të cilat ne të gjithë së bashku përballemi janë të jashtëzakonshme për shkak të krizave të njëpasnjëshme që kanë goditur të gjithë ne, qofshim Evropë me B apo Evropë pa B-në bashkëlidhur. Nuk duket se gjërat bëhen më mirë përpara sesa të përkeqësohen në shumë fronte, përfshi frontin e ri të tmerrshëm në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit", u shpreh Rama.
Rama thekoi më tej se “Nuk do të gjeja dot kurrë fjalët e duhura për të falënderuar kancelarin që në mënyrë kaq të hirshme, qe i hapur për idenë për ta sjell Procesin e Berlinit jashtë Bashkimit Evropian, në Tiranë. Dhe nuk do të gjeja dot kurrë fjalët e nevojshme për të falënderuar presidenten e Komisionit që i dha këtij samiti diçka vërtete thelbësore përmes planit të ri të rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor”.
Kancelari Scholz u shpreh se përveç krizave aktuale politike globale, aktualisht duhet të pranojnë pengesat në rajon.
"Vetëm pak javë më parë u sulmuan brutalisht policët në Kosovë. Një zyrtar u vra, ne e dënojmë këtë në termat më të ashpër të mundshëm", tha ai.
"Është një shenjë e mirë që Procesi i Berlinit u mbajt tani për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor. Ajo që është edhe më e mirë është se të gjithë kryeministrat e rajonit erdhën këtu dhe ne të gjithë mundëm të bisedonim me njëri-tjetrin. Kjo tregon se sa të përkushtuara janë vendet ndaj këtij procesi dhe sa i rëndësishëm është ai për afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Sepse është vërtet koha për këtë", tha Scholz.
Scholz theksoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe shtoi se ky premtim qëndron dhe është i vërtetë sot më shumë se kurrë.
Presidentja e KE-së, von der Leyen, tha se janë në Tiranë, duke punuar për afrimin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
"Por në të njëjtën kohë, sytë e botës janë tani në Izrael dhe Palestinë, dhe mendjet tona gjithashtu", u shpreh ajo.
Duke theksuar se mbetet shumë për të bërë, von der Leyen theksoi se: "Ne duhet t'i afrojmë edhe më shumë ekonomitë tona dhe duhet të shpejtojmë reformat për anëtarësim. Kjo është arsyeja pse unë u prezantova udhëheqësve planin tonë të rritjes. Nëse zbatohet, plani i ri i rritjes ka potencialin të dyfishojë madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor edhe në këtë dekadë".
Në kuadër të samitit u nënshkrua edhe marrëveshja rajonale për njohje reciproke të kualifikimeve profesionale. Gjithashtu u inaugurua edhe Zyra e re përfaqësuese e Kolegjit të Evropës në Tiranë dhe ambientet e reja të ri-konstruktuara të Piramidës së Tiranës.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian (BE).