Agim Sulaj
10 Korrik 2020•Përditësim: 11 Korrik 2020
Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka bërë të ditur se pas disa kontakteve që ka pasur me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare kanë ardhur në përfundim se të gjithë pajtohen për “një proces gjithëpërfshirës të vetingut (reformës) në sistemin e drejtësisë në vend”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi tha se ky proces do t’i përfshijë gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë duke gjetur metodën më të mirë për zhvillimin e procesit të llogaridhënies përfshirë edhe vetingun.
Deri më tani, Selimi tha se ministria ka konsultuar Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor, Gjykatën Supreme dhe atë Themelore, Prokurorinë e Shtetit por edhe disa prej partnerëve strategjikë të vendit bashkë me shoqërinë civile.
“Kemi arritur në një përfundim, që të gjithë janë që të jenë pjesë e një dizajnimi të llogaridhënies, përfshirë edhe vetingun. Kemi arritur në përfundim që të gjithë janë për që ky proces të jetë gjithëpërfshirës, që ky proces t’i përfshijë gjithë hisedarët, aktorët e sistemit të drejtësisë dhe së bashku ta gjejmë metodën më të mirë dhe mënyrën më të mirë se si ta zhvillojmë procesin e dizajnimit të sistemit të llogaridhënies duke përfshirë edhe vetingun”, theksoi Selimi.
Ministri Selimi duke folur rreth hisedarëve apo atyre që do të inkuadrohen në procesin e vetingut si këshillëdhënës, tha se do të jenë përfaqësues nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Zyra e BE-së, përfaqësues të ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës, e gjithashtu edhe përfaqësues nga Misioni i OSBE-së dhe përfaqësues tjerë nga shoqëria civile.
Ai bëri të ditur edhe se kush do të jetë i inkuadruar direkt në këtë proces nga institucionet vendore.
“Ne mendojmë që ky grup duhet të përbëhet me nga një përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial, Agjencia kundër-korrupsion, Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Oda e Avokatëve të Kosovës dhe disa përfaqësues nga grupi i ekspertëve”, tha Selimi.
Në parim, Selimi tha se të gjithë këta aktorë janë për gjithëpërfshirje dhe një sistem inkluziv i cili do të dalë me dizajnimin e sistemit llogaridhënies duke përfshirë dhe vetingun “që mund dhe duhet të jetë i implementueshëm”.
Procesi i vetingut në drejtësi në Kosovë është përmendur “si parakusht për kthimin e besimit të kosovarëve në sistemin e drejtësisë” edhe nga qeverisjet e kaluara. Ndërsa nevoja për veting në drejtësi është shtruar shpesh edhe nga organizatat joqeveritare që merren me monitorimin e këtij sektori. Madje, disa prej këtyre organizatave janë shprehur të bindur se “gjendja në sistemin e drejtësisë nuk mund të ndryshojë pa ndodhur një proces i vetingut”.