Agim Sulaj
16 Mars 2020•Përditësim: 16 Mars 2020
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia ka konfirmuar mëngjesin e sotëm se në Kosovë janë diagnostikuar edhe 4 raste të reja të prekur me koronavirus, duke çuar në 13-të numrin total, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç ka njoftuar Vitia në rrjetet sociale, rezultatet e testimeve me këta 4 persona janë konfirmuar mbrëmë vonë.
“Të katër rastet janë nga fshati Stubëll e Vitisë, familjarë të ngushtë të pacientit të diagnostikuar pozitiv me Covid-19, me datë 13.03.2020. E gjithë familja kanë qenë në vetizolim dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë testimin edhe të familjarëve të tjerë”, tha Vitia.
Ai përfundoi lajmërimin e tij duke bërë thirrje në reduktimin e daljeve nga shtëpitë dhe ndjekjen e rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore.
Deri më tani në Kosovë janë karantinuar tre komuna, Komuna e Klinës, Komuna e Vitisë dhe Komuna e Malishevës. Ndërsa dje, Qeveria e Kosovës ka shpallur emergjencë shëndetësore në vend.
Gjithashtu, për të lehtësuar ekonomitë familjare, në një mbledhje të Qeverisë të dielën ndër të tjera u mor vendim për shtyrjen e pagesës së kredive si dhe pagesat e ujit, energjisë, ngrohjes dhe mbeturinave deri më 30 prill.