Abdula Berisha
20 Nëntor 2019•Përditësim: 20 Nëntor 2019
Me rastin e Ditës botërore të fëmijëve dhe 30-vjetorit të miratimit të Konventës për të drejtat e fëmijëve, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka pritur fëmijët në objektin e Qeverisë, me të cilët ka mbajtur edhe eventin "Për fëmijët, nga fëmijët", raporton Anadolu Agency (AA).
Në sallën qeveritare ku priten delegacionet e larta të shteteve të huaja, sot pranë kryeministrit Zaev dhe ministrave të tjerë ishin ulur fëmijët ndërsa në takim të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga UNICEF-i dhe Bashkimi Evropian (BE).
Zaev në fjalën e tij përshëndetëse tha se ky takim organizohet me qëllim që të dëgjohen sugjerimet dhe idetë e fëmijëve për gjërat që u interesojnë fëmijëve.
"Unë jam këtu, por shumica e ministrave në qeverinë tonë po bëjnë politikën e fëmijëve dhe ne jemi të gatshëm t'i dëgjojmë nga ju, t'u përgjigjemi pyetjeve tuaja dhe shkruani ato që ju sugjeroni si tema që ju shqetësojnë dhe për momentin jeni të preokupuar. Kjo do të na ndihmojë si ekzekutiv të përqendrohemi në çështjet më të rëndësishme të interesit tuaj", tha Zaev.
Përfaqësuesja e UNICEF-it në Shkup, Patrizia Di Giovanni, tha se edhe 30 vite pas miratimit të Konventës për të drejtat e fëmijëve, nuk ka ndryshuar rëndësia e respektimit të të drejtave të fëmijëve, por theksoi se brenda kësaj periudhe në masë të madhe ka ndryshuar fëmijëria.
"Unë mendoj se duke parë të ardhmen, mendoj se do të doja të thosha gjithashtu se pas 30 vitesh, të drejtat nuk kanë ndryshuar, të drejtat mbeten shumë relevante dhe shumë të rëndësishme. Unë mendoj se megjithatë, fëmijëria ka ndryshuar gjatë 30 viteve. Ka sfida dhe suksese shumë të ndryshme me të cilat përballen të rinjtë sot", tha Di Giovanni.
Fjalime përshëndetëse kishin edhe ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar si dhe ministra të vendit, pas çka vijoi një diskutim ku të rinjtë folën për çështjen e arsimit, ekonomisë, ekologjisë, migrimit të të rinjve dhe për tema tjera.
Përpos kësaj, në Shkup u organizua edhe një aktivitet tjetër kushtuar Ditës botërore të fëmijëve, nën përkujdesjen e Avokatit të Popullit, institucion i cili udhëhiqet nga Ixhet Memeti.
"Ngjarja këtu në Shtëpinë e ARM-së u kushtohet atyre (fëmijëve), ne më të moshuarit t’i dëgjojmë, se ata kanë të drejta, andaj problemet e tyre t’i shprehin vetë ata, në mënyrë që më në fund të kujtojmë se si fëmijët i njohin të drejtat e tyre, si krijojnë fëmijët, si mendojnë fëmijët për ne, vendimmarrësit, që vendosim për të drejtat e tyre, mbrojmë të drejtat e tyre, punojmë në interesin e tyre", tha Memeti.
Në ngjarje të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, si dhe përfaqësues të pushtetit ekzekutiv.
Të organizuar për këtë ngjarje, fëmijë të çerdheve, shkollave fillore dhe të mesme, kishin përgatitur shfaqje me këngë dhe valle si dhe vizatime dhe punime tjera.