Husamedin Gina
11 Korrik 2020•Përditësim: 12 Korrik 2020
Me rastin e 25 vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, sonte në Shkup u shfaq dokumentari "Gjykimi i Ratko Mladiçit" (The Trial of Ratko Mladic), në një ngjarje të organizuar nga Qendra Kërkimore Boshnjake "Lilium Bosniacum", raporton Anadolu Agnecy (AA).
Dokumentari me regji nga Rob Miller dhe Henry Singer, përshkruan procesin gjyqësor të gjeneralit të serbëve nba Bosnja e Hercegovina, Ratko Mladiç, i cili u shpall fajtor për genocidin e Srebrenicës dhe krimet kundër njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë.
Adelaid Karishik, kryetar i "Lilium Bosniacum", para shfaqjes së dokumentarit për AA rikujtoi se janë mbajtur gjithsej 530 seanca dëgjimore dhe janë prezantuar mbi 10 mijë prova.
"Ajo që duhet të dini në lidhje me këtë dokumentar është se gjatë xhirimeve u mbajtën më shumë se 530 seanca dëgjimore, u prezantuan më shumë se 10 mijë prova dhe u dëgjuan gjithashtu 592 dëshmitarë. Epilogu i këtij procesi gjyqësor është se Ratko Mladiç u dënua për genocidin në Srebrenicë dhe është shpallur fajtor për 10 nga 11 akuzat e ngritura në aktakuzë", tha Karishik.
Duke theksuar se boshnjakët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut ndjejnë dhimbjen e qytetarëve të Srebrenicës dhe në përgjithësi dhimbjen e popullit boshnjak për gjenocidin në Srebrenicë, Karishik tha se genocidi ishte planifikuar për të gjithë Bosnje e Hercegovinën, por u realizua vetëm në Srebrenicë.
Prodhimi i dokumentarit zgjati tetë vjet, duke filluar në vitin 2011, ditën kur Mladiç u arrestua pas 16 vjetësh në arrati.
Ish komandanti i Ushtrisë së Republika Sërpska (VRS) u dënua në nëntor të vitit 2017 nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë për genocidin në Srebrenicë, si dhe për përndjekje të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë BeH, për terrorizim të popullatën civile dhe për pengmarrje të anëtarë të forcave paqeruajtëse të OKB-së. Mladiç u dënua me burg të përjetshëm.
Në vitin 1995, formacionet ushtarake, paramilitare dhe policore nga Republika Srpska dhe Serbia kryen genocid ndaj boshnjakëve në Srebrenicë, në Zonën e Mbrojtur të OKB-së, ku u vranë të paktën 8.372 civilë.