Fatjon Cuka
02 Qershor 2021•Përditësim: 02 Qershor 2021
Në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 14 raste të tjera me koronavirusin e ri (COVID-19), ndërkohë asnjë person nuk ka ndërruar jetë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi se numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në vend që nga fillimi i pandemisë është rritur në 132.351, prej të cilëve 2.451 persona kanë vdekur.
Ndërkohë, janë shëruar 48 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 129.521, dhe raste aktive aktualisht janë 379.
Autoritetet shëndetësore kanë kryer edhe 3.057 testime të tjera, ndërsa që nga fillimi i pandemisë janë kryer gjithsej 726.739 testime për personat e dyshuar me COVID-19.
Sipas ministrisë, vijon vaksinimi masiv me kalendar të kombinuar, për personat mbi 60-vjeç dhe punonjësit e shërbimeve kritike dhe që nga fillimi i këtij procesi janë kryer në total 780.342 doza të vaksinës ndaj COVID-19.