Fatjon Cuka
06 Dhjetor 2022•Përditësim: 06 Dhjetor 2022
Në Shqipëri po mbahet sot Samiti Bashkimi Evropian (BE)-Ballkani Perëndimor, i pari që zhvillohet në rajon, raporton Anadolu Agency(AA).
Samiti ka mbledhur së bashku liderët e BE-së, nga vendet e BE-së dhe rajonit, të cilët do të diskutojnë për disa çështje në kryeqytetin e Shqipërisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur liderët pjesëmarrës në samit në Sheshin "Italia”, ndërsa punimet e seancës plenare do të vazhdojnë në ambientet e Pallatit të Kongreseve.
Rama ka pritur fillimisht liderët nga vendet e rajonit dhe presidenten e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, si dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Temat kryesore të samitit janë trajtimi i pasojave të agresionit rus kundër Ukrainës, intensifikimi i angazhimit politik, forcimi i sigurisë ndaj ndërhyrjeve të jashtme, si dhe ballafaqimi me sfidat e paraqitura nga emigrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Pas seancave plenare do të mbahet konferenca për media e kryeministrit Rama, presidentes së Komisionit Evropian dhe presidentit të Këshillit Evropian.
Policia e Shqipërisë dhe institucione të tjera të fushës së sigurisë kanë marrë masa shtesë për mbarëvajtjen e samitit, ndërkohë, janë angazhuar qindra forca policore shtesë.