Agim Sulaj
26 Maj 2020•Përditësim: 27 Maj 2020
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar të martën Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) ku është diskutuar për gjendjen e bizneseve, efektet e masave të deritashme të lehtësimit si dhe nevojën për një pako emergjente të rimëkëmbjes ekonomike pas përballjes me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Thaçi pas takimit ku mbajti konferencë bashkë me kreun e OEK-ut, Berat Rukiqin, tha se deri më tani nuk ka pasur ndonjë përpjekje serioze nga Qeveria e Kosovës sa i përket rimëkëmbjes ekonomike të vendit.
Ai tha se do të shohin për të gjitha masat që mund të ndërmarrin institucionet bashkërisht, në mënyrë që të arrihet një sukses.
“Për fat të keq deri më tani kemi pasur një qasje joserioze joprofesionale dhe të dështuar të Qeverisë së Kosovës në veçanti sa i përket qasjes për rimëkëmbjen ekonomike, por duhet të vazhdohet edhe me implementimin e plotë të gjitha investimeve kapitale të cilat kanë qenë në proces dhe natyrisht hapjen e mundësive për investime tjera të cilat janë të domosdoshme për vazhdimin e zhvillimit ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve”, theksoi Thaçi.
Kreu i OEK-ut, Berat Rukiqi tha në këtë konferencë se Kosova është në një situatë të pazakonshme pasi pandemia nuk ka ndikuar vetëm në shëndetin publik por edhe në ekonomi.
Rukiqi tha se një konsensus politik për formimin e një pakoje emergjente për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit është mjaft i nevojshëm të arrihet sa më shpejtë.
“Sa më shpejtë të ketë konsensus politik në vend që mundëson që Kosova ta ketë një pako për rimëkëmbje ekonomike, që e rikuperon ekonominë shumë më shpejtë dhe që nuk krijon dëme afatgjata, të cilat mund të na krijojnë probleme fatale si humbje e vendeve të punës, thellimi i deficitit tregtar e shumë probleme tjera që ndikohen në mirëqenien e qytetarëve të vendit”, tha Rukiqi.
Javën e kaluar në një konferencë të Odës Ekonomike të Kosovës u bë e ditur se vetëm në sektorin e hotelerisë, restoranteve dhe kafeneve, mbyllja e bizneseve prej 67 ditëve nga koronavirusi ka shkaktuar humbje mbi 30 milionë euro, ndërsa gjendje e njëjtë u tha se është edhe në sektorët e tjerë.