Fatjon Cuka
04 Mars 2024•Përditësim: 05 Mars 2024
Tensionet në Kuvendin e Shqipërisë vazhdojnë, pasi edhe në seancën e sotme plenare nuk u zhvilluan diskutimet, raporton Anadolu.
Deputetët e opozitës nga Partia Demokratike (PD) dhe jashtë grupeve parlamentare kanë penguar diskutimet e deputetëve, duke qëndruar në këmbë, përdorur zhurmues, duke bllokuar foltoren dhe duke u përplasur me punonjësit e Gardës së Shqipërisë.
Në seancën e sotme ishte parashikuar që të diskutohej për çështje të evidentuara nga qytetarët në zona të ndryshme zgjedhore.
Në fillim të seancës, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të ulen në vendet e tyre me qëllim që të vazhdohej me diskutimet në seancën parlamentare.
"Sot është një ditë dedikuar zgjedhësve. Zgjedhësit duan të dëgjojnë shqetësimet e tyre, jo bilbilat", u shpreh Nikolla.
Me pankarta në duar me mbishkrimet "Garda jashtë", "Nuk duam parlament monist", "Kuvend burrash, jo horrash" dhe të tjera, deputetët e opozitës kanë qëndruar pranë foltores, duke mos lejuar vazhdimin e diskutimeve në seancën plenare.
Seanca zgjati rreth 7 minuta dhe u mbyll në mes të tensioneve nga kryeparlamentarja Nikolla.
Kujtojmë se deputetët e opozitës nga PD dhe jashtë grupeve parlamentare vazhdojnë bllokimin e diskutimeve në seancat parlamentare dhe komisionet parlamentare, sipas tyre për të kërkuar "respektimin e të drejtave të tyre".
Qëndrimet e deputetëve të opozitës në seancat e fundit parlamentare janë në vazhdën e tensioneve në Kuvend që në fund të vitit 2023. Seancat e Kuvendit të Shqipërisë në muajit e fundit të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti u përfshinë nga tensionet pasi sipas deputetëve të opozitës nuk respektohen të drejtat e tyre dhe nuk miratohen në Kuvend nismat dhe kërkesat e tyre.