Lejla Biogradlija,Aldijana Hadzic
27 Tetor 2022•Përditësim: 28 Tetor 2022
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të qëndrojnë pranë serbëve të Kosovës në çdo tension me Kosovën, transmeton Anadolu Agency (AA)
Vuçiq kryesoi seancën urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas takimit me përfaqësuesit serbë të Kosovës në kryeqytetin Beograd, ku më pas mbajti një konferencë për media pas mbledhjes së këshillit.
Rreth vendimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që “targat e dhëna serbëve në Kosovë të shndërrohen në 'RKS' (Republika e Kosovës)”, që shkaktoi tension mes dy vendeve dhe të cilat do të hyjnë në fuqi nga 1 nëntori, Vuçiq tha "jemi në anën e serbëve”.
Vuçiq theksoi se vendimi i Kosovës për targat rrezikon paqen dhe stabilitetin dhe shtoi se kanë kërkuar targa neutrale për zgjidhje, por sipas tij Kosova nuk e ka pranuar.
Duke shpjeguar se kanë vlerësuar edhe ofertën për të pranuar pjesëmarrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara (OKB), e cila ka ardhur nga Gjermania dhe Franca, Vuçiq tha se, "Ka situata që nuk mund t'i pranojmë. Ne kemi njoftuar edhe autoritetet përkatëse shtetërore. Nuk dua të hyj në detaje".
Presidenti i Serbisë u shpreh se janë të gatshëm të bëjnë maksimumin për vazhdimin e dialogut me Kosovën.
“Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që të parandalojmë që situata të shkaktojë tension, por në rast të një sulmi të mundshëm, ne do të qëndrojmë në krah të Serbisë. Mendoj se edhe Prishtina do të veprojë me mençuri në këtë pikë", tha Vuçiq.
Duke u shprehur se nuk do të dorëzohen, Vuçiq theksoi se Serbia nuk do të anëtarësohet në NATO.
- Rakiq: Kemi marrë garanci të forta se presidenti Vuçiq dhe shteti i Serbisë do të qëndrojnë pranë popullit të tyre
Kreu i Listës Serbe në Kosovë, Goran Rakiq, tha se populli serb do t'i përgjigjet kësaj praktike me rezistencë paqësore, demokratike dhe jo të dhunshme.
“Ajo që mund t'ju them është se takimi nuk ka qenë kurrë më i shkurtër, por kemi marrë garanci të forta se presidenti Vuçiq dhe shteti i Serbisë do të qëndrojnë pranë popullit të tyre. Ne i thamë qartë dhe kërkuam nga presidenti Vuçiç që nëse Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër, do ta përsëris edhe një herë, kushdo tjetër niset të na e marrë pronën, kurse pronë e jona janë edhe targat dhe automjetet, ne do të përdorim të gjitha mjetet, në mënyrë paqësore dhe demokratike do të bëjmë rezistencë dhe kjo do të jetë rezistenca e popullit“, tha Rakiq.
"Më duhet të them edhe një herë se nëse Prishtina fillon me dhunë me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e veturave me targa KM, do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu në Kosovën qendrore në jug”, shtoi Rakiç.
Ndërsa kryeministri kosovar ka deklaruar se nuk do të zgjatet periudha për ndërrimin e targave përkundër kërkesës së shteteve perëndimore, pasi SHBA-ja ka kërkuar që vendimi për konvertimin e targave të Serbisë në RKS të shtyhet për 10 muaj.
Përderisa pala kosovare nuk iu përgjigj kërkesës së SHBA-së, pretendohet se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë do të acarohen sërish me afrimin e 1 nëntorit.
- Tensioni Kosovë-Serbi
Serbët në Kosovë reaguan ndaj njoftimit se të gjithë, përfshirë serbët që jetojnë në Kosovë, do të duhej të kishin letërnjoftim dhe targa të Kosovës. Me mbylljen e rrugës për në pikat kufitare në veri të vendit në fund të korrikut nga serbët në Kosovë u rritën tensionet përsëri në vend.
Qeveria e Kosovës vendosi ta shtyjë zbatimin që shkaktoi krizën deri më 1 shtator, pas heqjes së të gjitha barrikadave në rrugët që të çojnë në portat kufitare me Serbinë.
Duke e shtyrë vendimin deri më 1 nëntor, Kosova njoftoi se nga kjo datë në vend do të mund të qarkullojnë vetëm automjetet me targa të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, Serbia Kosovën e konsideron territorin e saj, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Procesi i dialogut Beograd-Prishtinë, i nisur në vitin 2011 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), synon të normalizojë marrëdhëniet dhe përfundimisht të çojë në njohjen reciproke.
Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndërpritet herë pas here për arsye të ndryshme.