Furkan Abdula
24 janar 2023•Përditësim: 24 janar 2023
Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut i angazhuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, nga sot qëndron në një vizitë zyrtare treditore në Bruksel, gjatë së cilës, përveç ndjekjes së takimeve dypalëshe të skriningut të Kapitullit 6 dhe 7, do të zhvillojë edhe takime me përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Sekretariati për Çështje Evropiane i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, zv/kryeministri Mariçiq nesër do të hapë takimin dypalësh për Kapitullin 7, i titulluar “Ligji i pronësisë intelektuale”, ndërsa pasdite në Parlamentin Evropian do të takohet me eurodeputët Irena Joveva dhe David McAllister, si dhe me eurodeputetin bullgar dhe raportuesin për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Kyuchyuk.
Të enjten, kryenegociatori i vendit me BE-në do të takohet me komisionerin evropian për zgjerim, Oliver Varhey dhe me shefin e Drejtorisë së Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Gert Jan Koopman.
Në të njëjtën ditë, Mariçiq gjithashtu do të takohet me zv/drejtorin e përgjithshëm për Ballkanin Perëndimor në Departamentin e Politikës së Jashtme të BE-së, Marko Makovec, me ushtruesen e detyrës drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Michela Matuella, si dhe me drejtorin e Sekretariatit të CEFTA-s, Emir Çekiq.
Zv/kryeministri Mariçiq do t’i japë fund vizitës së tij të punës me një takim me Simon Mordue, këshilltar diplomatik të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.
Temë e takimeve do të jetë procesi i skriningut, përgatitja e planit të reformës prioritare, si dhe përgatitjet për zbatimin e detyrave dhe detyrimeve aktuale për përparim më të shpejtë në procesin e negociatave me BE-në.