Mahmoud Barakat
05 Qershor 2018•Përditësim: 05 Qershor 2018
DOHA (AA) – Ministri i Mbrojtjes i Katarit, Khalid al-Attiyah, ka deklaruar se vendi i tij po pret një anëtarësim të plotë në NATO, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Sigurisht që jemi më mirë se më parë. Sot Katari është bërë një nga vendet më të rëndësishme në rajon, sa i përket cilësisë së armatimit”, tha al-Attiyah në një intervistë për revistën zyrtare të Ministrisë Mbrojtjes së Katarit, Altalaya.
Ministri al-Attiyhah përmendi bashkëpunimin në rritje midis Dohës dhe NATO-s, që sipas tij mund të çojnë në “pritjen e një prej njësive të NATO-s ose një prej qendrave të saj të specializuara”.
“Lidhur me anëtarësimin, ne jemi një aleat kryesor jashtë NATO-s. Ambicia është anëtarësimi i plotë nëse partneriteti ynë me NATO-n zhvillohet dhe vizioni ynë është i qartë”, tha al-Attiyah, duke shtuar se, “NATO e vlerëson kontributin e Katarit në luftën kundër terrorizmit dhe financimit ndaj tij”.
Deklaratat e ministrit vijnë në përvjetorin e parë të krizës së Gjirit, kur katër shtete arabe, Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini, imponuan një bllokadë toke, deti dhe ajri në Katar me shpresën për ta bërë atë të bindet me një listë të gjatë kërkesash.
Të katër shtetet arabe e akuzojnë Dohën për mbështetjen e terrorizmit, akuza që Doha i mohon, dhe bashkërisht ndërprenë lidhjet me vendin e Gjirit.