Ekip
09 korrik 2020•Përditësim: 10 korrik 2020
Rreth 135 luftëtarë të huaj, të cilët u bashkuan me grupin terrorist PKK dhe morën pjesë në sulme të armatosura në Siri dhe Irak, u kthyen në Gjermani, sipas një raporti të fundit të inteligjencës të publikuar të enjten, raporton Anadolu Agency (AA).
Agjencia e brendshme e inteligjencës gjermane BfV paralajmëroi në raportin e saj vjetor se PKK mbetet grupi më i madh ekstremist i huaj në vend, dhe pasuesit e tij mund të kryejnë sulme të dhunshme nëse marrin udhëzime nga drejtuesit e grupit jashtë vendit.
Që nga viti 2013, të paktën 270 luftëtarë të huaj nga Gjermania udhëtuan për në veri të Sirisë dhe Irakut, ku morën trajnime ushtarake nga grupi terrorist PKK, dhe morën pjesë në sulme të armatosura në rajon dhe në Turqinë juglindore, sipas raportit.
“Të paktën 23 prej tyre vdiqën në fushat e betejës. Rreth 135 prej tyre u kthyen në Gjermani", thotë raporti, pa dhënë detaje të tjera rreth luftëtarëve të huaj që ishin kthyer.
Sipas BfV, PKK ka krijuar organizata të reja mbuluese në Gjermani vitin e kaluar për të vazhduar aktivitetet e saj të rekrutimit, propagandës dhe mbledhjes së fondeve.
Ajo ka gati 14.500 ndjekës në mesin e emigrantëve të popullatës kurde dhe mblodhi rreth 16 milionë euro (18.1 milionë dollarë) në Gjermani në fushata të ndryshme vitin e kaluar, theksoi raporti.
PKK, e cila është klasifikuar si organizatë terroriste "etno-nacionaliste" dhe "separatiste" nga agjencia e BE për zbatimin e ligjit EUROPOL, është ndaluar në Gjermani që nga viti 1993.
Turqia u ka kërkuar prej kohësh autoriteteve gjermane të ndërmarrin masa më serioze kundër veprimtarive të PKK-së në këtë vend.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK e renditur si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje.