Mustafa Talha Öztürk
17 Mars 2022•Përditësim: 18 Mars 2022
Një zyrtar serb ka bërë të ditur se nga afër 12.500 refugjatë që kanë hyrë në Serbi nga Ukraina që nga fillimi i luftës, rreth 2.500 mbetën në vend gjatë muajit shkurt dhe gjysmës së parë të muajit mars, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç raporton transmetuesi publik RTS, Nikola Sakan nga Komisariati për Refugjatë tha se shumica dërrmuese e refugjatëve, kryesisht gra me fëmijë, janë në tranzit.
“Ne shpërndajmë broshura në gjuhën ukrainase me numrin tonë të telefonit dhe adresën elektronike, që ata mund t’i kontaktojnë në çdo kohë të ditës ose natës nëse kanë ndonjë problem ose nëse kanë nevojë për informacion shtesë”, tha Sakan.
Rreth 30 persona qëndrojnë në qendrat e komisariatit, kryesisht familje me fëmijë. Kjo qendër u ofron atyre ushqim dhe strehim të ngrohtë.
Sakan njoftoi se ka edhe familje që qëndrojnë në Serbi me miq apo të afërm të cilëve u bëri thirrje të kontaktojnë autoritetet lokale për të regjistruar qëndrimin e tyre.
Ai tha se ekipi i komisariatit është vazhdimisht në detyrë në vendkalimin Horgos në Hungari, që kufizohet me Ukrainën, si dhe shtoi se detyra e tyre është t’u ofrojnë refugjatëve nga Ukraina të gjitha informacionet se çfarë shërbimesh mund të marrin në Serbi.
Shumica e refugjatëve ukrainas në Serbi vijnë me automjet privat dhe më pas shkojnë në Greqi, Bullgari apo Mal të Zi.
Nga komisariati marrin pako me ushqime dhe sende të kujdesit personal.
Lufta Rusi-Ukrainë, që filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar reagime ndërkombëtare, ka çuar në sanksione financiare ndaj Moskës si dhe ka nxitur një largim të kompanive globale nga Rusia.
OKB-ja njofton se të paktën 726 civilë kanë humbur jetën dhe rreth 1.200 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë ndërkohë që mbi 3.1 milionë refugjatë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje.