Seyit Şamil Kurt
24 Maj 2026•Përditësim: 24 Maj 2026
Ministri turk i Punëve të Jashtme dhe homologët e tij nga 17 vende të tjera dënuan ashpër “lëvizjen e paligjshme dhe të papranueshme” të rajonit separatist Somaliland për hapjen e një të ashtuquajture ambasade në Kudsin e pushtuar, transmeton Anadolu.
Një deklaratë e përbashkët u publikua nga kryediplomatët e Turqisë, Algjerisë, Bangladeshit, Xhibutit, Egjiptit, Indonezisë, Jordanisë, Kuvajtit, Libanit, Mauritanisë, Omanit, Pakistanit, Palestinës, Katarit, Arabisë Saudite, Somalisë, Sudanit dhe Jemenit.
“Ministrat dënojnë në termat më të ashpër hapin e paligjshëm dhe të papranueshëm të ndërmarrë nga i ashtuquajturi rajon ‘Somaliland’ për hapjen e një ‘ambasade’ të pretenduar në Kudsin e pushtuar”, thuhet në deklaratë.
Sipas deklaratës, kjo lëvizje përbën një “shkelje flagrante” të së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutave përkatëse ndërkombëtare, si dhe përfaqëson një cenim të drejtpërdrejtë të statusit juridik dhe historik të Kudsit të pushtuar.
Kryediplomatët gjithashtu riafirmuan “refuzimin kategorik” të çdo mase të njëanshme që synon forcimin e një realiteti të paligjshëm në Kudsin e pushtuar ose dhënien e legjitimitetit për entitete apo marrëveshje që shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të OKB-së.
Deklarata përsëriti se Kudsi Lindor është territor palestinez i pushtuar që nga viti 1967, duke theksuar se çdo masë që synon ndryshimin e statusit të tij juridik dhe historik është e “pavlefshme” dhe “pa efekt juridic”.
Ata gjithashtu theksuan mbështetjen e tyre të plotë për unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Somalisë, duke refuzuar çdo masë të njëanshme që minon unitetin territorial të Somalisë ose cenon sovranitetin e vendit.