Dmitri Chirciu
17 shtator 2020•Përditësim: 18 shtator 2020
DMITRI CHIRCIU
Në Rusi ka filluar të testohet tek vullnetarët vaksina në fazën e 3-të që është zhvilluar kundër koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Ekipi i AA-së në kryeqytetin e Moskës filmoi aplikimin e vaksinës kundër COVID-19 tek vullnetarët. Vaksina është zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Kërkimeve të Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë Gamaleya.
Vaksina e emërtuar "Sputnik V" dhe e cila është vaksina e parë e regjistruar në botë, fillimisht është injektuar tek mësuesit dhe punonjësit e shëndetësisë që ndodhen në grupin e të rrezikuarve me prioritet parësor. Vaksina që është planifikuar të aplikohet tek rreth 40 mijë njerëz, filloi të aplikohet tek ata që paraqiten si vullnetarë.
Zv.kryemjeku Vladimir Tereshçenko në një deklaratë lidhur me procesin e vaksinimit që realizohet në poliklinikën e qytetit numër 220 tha se aplikimi i fazës së tretë për vaksinën kundër COVID-19 në vend ka filluar më 9 shtator.
Ai tha se ky proces përbëhet nga faza të caktuara dhe se vullnetarët fillimisht plotësojnë formularin që ndodhet në faqen e internetit të Bashkisë së Moskës.
Pasi shpjegoi se vullnetarët thirren në spital sipas përgjigjeve që kanë dhënë ndaj pyetjeve në formularë, Tereshçenko tha se "Vullnetari vizitohet nga mjeku. Më pas kryhen teste gjaku, alkooli dhe teste të drogës nëse vullnetari plotëson kriteret e përcaktuara".
Duke bërë të ditur se vaksina kryhet në fazën e fundit, Tereshçenko tha se "Pas vaksinimit vullnetari qëndron për 30 minuta në spital dhe vëzhgohet situata e tij. Nëse situata e personit paraqitet e mirë lejohet të shkojë në shtëpi".
Tereshçenko theksoi se personave të vaksinuar u vendoset një orë dore speciale për të ndjekur situatën e tij shëndetësore dhe se këto informacione u shkojnë atyre nëpërmjet internetit.
"Ata që vaksinohen nuk duhet të bëjnë aktivitete sportive, nuk duhet të përdorin alkool dhe mund të pijnë një numër të vogël cigaresh", tha Tereshçenko i cili shtoi se vaksina nuk aplikohet tek kandidatët që kanë sëmundje kronike dhe alergjike si dhe tek gratë shtatzëna.