Eşref Musa
30 Tetor 2023•Përditësim: 30 Tetor 2023
Administrata e Damaskut pretendoi se Izraeli kreu një sulm ajror në provincën Dera në Sirinë jugore, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të agjencisë së lajmeve të regjimit në Siri, SANA, bazuar në një burim ushtarak, Izraeli ka kryer një sulm ajror në dy pika ushtarake në Dera nga Lartësitë e Golanit në orën 01:35 me orën lokale.
Nuk është dhënë asnjë informacion në lidhje me humbje jetësh nga sulmi.
Në deklaratën e saj me shkrim mbrëmë, ushtria izraelite njoftoi se nga Siria janë lëshuar raketa drejt Izraelit dhe si kundërpërgjigje kanë sulmuar me artileri zonën ku janë lëshuar raketat.
Pasi krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izz ad-Din al-Qassam, nisën operacionin "Tufani i Aksasë" kundër Izraelit më 7 tetor, forcat izraelite kanë shënjestruar aeroportet ndërkombëtare në Damask dhe Halep më 12, 15 dhe 21 tetor.
Izraeli ka kryer sulme të herëpashershme ndaj grupeve të mbështetura nga Irani dhe pikave ushtarake që i përkasin ushtrisë siriane në Siri që nga fillimi i luftës civile në 2011.
Zyrtarët izraelitë në përgjithësi përmbahen nga komentimi i sulmeve në territorin sirian.
Provinca Dera, e vendosur në jug të vendit në kufirin me Jordaninë, ka qenë nën kontrollin e ushtrisë siriane dhe mbështetësve të saj që nga viti 2018.