Sayed Khodaiberdi Sadat
16 nëntor 2021•Përditësim: 16 nëntor 2021
Në Afganistan, administrata talebane pezulloi shpërndarjen e pasaportave, të cilën e kishte nisur më 7 tetor, në kryeqytetin Kabul, transmeton Anadolu Agency (AA).
Drejtori i Përgjithshëm i Pasaportave, Alem Gul Hakkani, tha në një deklaratë për shtypin se shpërndarja e pasaportave është pezulluar për shkak të problemeve teknike.
Duke u shprehur se shpërndarja e pasaportave do të nisë sërish pasi të zgjidhen problemet, Hakkani tha gjithashtu se do të sigurohen pajisje të reja për Drejtorinë e Përgjithshme të Pasaportave në Kabul.
Hakkani theksoi se shpërndarja e pasaportave është pezulluar vetëm në Kabul dhe shpërndarja vazhdon në 6 provincat e tjera.
Duke konfirmuar se rreth 20.000 persona aplikojnë çdo ditë për pasaportë, Hakkani tha se "Kapaciteti ynë ditor është 3.000 persona".
Administrata talebane po shpërndante pasaporta vetëm për njerëzit që ishin regjistruar më parë online dhe për pacientët që nuk mund të trajtoheshin në Afganistan.
Drejtoria e Përgjithshme e Pasaportave, e cila u mbyll për një kohë të gjatë pas dominimit të talebanëve në Afganistan, u hap përsëri më 7 tetor.