Levent Tok
19 Janar 2017•Përditësim: 20 Janar 2017
IDLIB (AA) – Në qytetin Idlib i cili ndodhet në veriperëndim të Sirisë në kufi me Turqinë, ushtria çati e opozitarëve Xhejsh ul Fet’h (Ushtria e Çlirimit) qeverisjen lokale të qytetit e ka dorëzuar nën administrim civil, raporton Anadolu Agency (AA).
Ushtria çati e grupeve të armatosura opozitare në Idlib Xhejsh ul Fet’h kishte administratën e qendrës së qytetit që nga marsi i vitit 2015, ndërsa pas vendimit për t’ia dorëzuar atë civilëve, banorët ditën e djeshme kanë dalë në votime.
Në zgjedhjet në të cilat të drejtë vote kishin personat mbi 25 vjeç që banojnë në qendrën e Idlibit, është vërejtur interesim i madh nga ana e banorëve.
Brenda qytetit gjenden afërsisht 200 mijë civilë, ndërsa në zgjedhje garuan gjithsej 85 kandidatë për 25 vendet në kuvend.
Sipas rezultateve të shpallura pas hapjes së kutive dhe klasifikimit të votave, numrin më të madh të votave e mori inxhinieri i komunikimit Shadi Zeydani, ndërsa pas tij u radhit studenti i juridikut Abdulkahr Zakkur.
Vendet e tjera si anëtarë të kuvendit u zunë nga grupe profesionale dhe studentë, si inxhinierë, avokatë, mjekë, planifikues urbanistikë dhe bujq.
Pas zgjedhjeve, Xhejsh ul Fet’h qeverisjen lokale ia dorëzoi kuvendit lokal i cili erdhi në detyrë me votën e banorëve.
Kuvendi Lokal i Idlibit në fazën e parë do të marrë përsipër shërbimet e sigurisë dhe ato komunale. Më pastaj, pritet që kuvendi të transferojë nën kompetenca të tij edhe institucionet shëndetësore dhe shërbimet e tjera që kanë të bëjnë me jetën e banorëve.
Ndryshe, Idlibi ishte marrë nën kontroll nga opozitarët në muajin mars të vitit 2015.