Ekip
27 Gusht 2021•Përditësim: 27 Gusht 2021
Shtetas britanikë janë konfirmuar se janë në mesin e të vdekurve nga shpërthimet e djeshme në Aeroportin Ndërkombëtar "Hamid Karzai" të kryeqytetit afgan Kabul, raporton Anadolu Agency (AA).
Dy shtetas britanikë dhe fëmija i një tjetri u vranë në sulmet në aeroportin e Kabulit, të cilat u morën përsipër nga filiali i DEASH-it në Afganistan.
"Unë u pikëllova shumë kur mësova se dy shtetas britanikë dhe fëmija i një shtetasi tjetër britanik u vranë nga sulmi terrorist i djeshëm, dhe dy të tjerë u plagosën", tha në një deklaratë Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Dominic Raab.
"Këta ishin njerëz të pafajshëm dhe është një tragjedi që teksa ata kërkonin t'i sillnin të dashurit e tyre në mjedis të sigurt në Mbretërinë e Bashkuar, ata u vranë nga terroristë frikacakë", shtoi ministri i jashtëm.
Raab bëri të qartë se sulmet e djeshme nënvizojnë rreziqet e shumta me të cilat përballet Afganistani pas tërheqjes së forcave ndërkombëtare dhe rënies së qeverisë së ish-Presidentit Ashraf Ghani pas marrjes nën kontroll të talebanëve më shumë se një javë më parë.
"Ne nuk do t'ua kthejmë shpinën atyre që na shikojnë në momentet kur kanë nevojë dhe ne kurrë nuk do të jemi të frikësuar nga terroristët", shtoi ai.
Përkundër garancisë për të mos braktisur më të pambrojturit, qeveria britanike konfirmoi sot në mëngjes se ushtria britanike hyri në orët e fundit të evakuimit dhe pranoi se "jo të gjithë do të jenë në gjendje të largohen".
"Ne do t'i procedojmë njerëzit që kemi sjellë me vete, 1.000 njerëz afërsisht në aeroport tani, dhe ne do të kërkojmë një mënyrë për të gjetur disa njerëz në turmat ku mundemi, por në përgjithësi procedimi kryesor tani është mbyllur dhe kemi pak orë”, thanë nga qeveria, duke shtuar: "Fakti trishtues është se secili nuk do të dalë jashtë".
Të paktën 170 persona u vranë në shpërthimet e djeshme jashtë aeroportit në kryeqytetin e Afganistanit. Midis të vdekurve ishin 12 ushtarakë amerikanë dhe roje talebanë.