Darren Lyn
21 gusht 2026•Përditësim: 21 gusht 2026
Aisha Wahab u bë afgania e parë amerikane e zgjedhur në Kongresin e SHBA-së të enjten vonë, pasi u shpall fituese e zgjedhjeve të posaçme balotazhi për të plotësuar vendin e Qarkut të 14-të të Kalifornisë, i lënë vakant nga ish-kongresmeni amerikan, Eric Swalwell, i cili dha dorëheqjen mes akuzave për sulm seksual, transmeton Anadolu.
Me numërimin e 100 për qind të votave, Wahab fitoi 53,1 për qind të votave, duke mposhtur kandidaten tjetër demokrate, Melissa Hernandez, e cila mori 46,9 për qind.
Wahab, myslimania e parë dhe afgania e parë amerikane e zgjedhur në Senatin e Kalifornisë, kandidoi me një platformë progresiste demokrate pro Palestinës.
Rivalja e saj, Hernandez, kandidoi me një platformë pro Izraelit dhe përfitoi një mbështetje të madhe financiare nga Komiteti Amerikan për Marrëdhëniet Publike Izraelite (AIPAC), i cili kontribuoi me afro 3 milionë dollarë në fushatën e saj. Sipas Politico, nga 4 milionë dollarët e shpenzuar në të dyja fushatat që nga korriku, 3,7 milionë dollarë shkuan për Hernandez.
"Jam shumë krenare për këtë qark, duke parë miliona dollarë që erdhën nga jashtë me retorikë të rreme, narrativa të rreme dhe të dhëna të rreme, ndërsa njerëzit i kuptuan ato dhe votuan për mua", tha Wahab në një intervistë për televizionin CBS në San Francisko.
Hernandez i tha CBS-së se beson në shanset e saj për përballjen e re në nëntor kundër Wahab, pas ridizajnimit të hartës zgjedhore të Qarkut të 14-të, e cila, sipas saj, përfshin edhe 26 mijë votues të tjerë.
"Do ta rifitoj Dublinin, qytetin ku kam qenë kryetare bashkie, pasi aty do të kem mundësi të fitoj mijëra votues të tjerë. Ekipi ynë ka bërë një punë të jashtëzakonshme për ta ngushtuar diferencën me 20 pikë. Mendoj se njerëzit duhet ta mbajnë mend këtë", tha Hernandez.
Përballja e dytë mes Wahab dhe Hernandez do të zhvillohet gjatë zgjedhjeve të mesmandatit më 3 nëntor.