Esra Kaymak,Sibel Uğurlu
01 Dhjetor 2016•Përditësim: 01 Dhjetor 2016
LEFKOSA (AA) - Presidenti i qipriotëve turq, Mustafa Akıncı deklaroi se vendi mund të shkojë në një referendum i cili do të mbahej nga mesi i vitit 2017, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas një takimi me ministrin e Jashtëm britanik, Boris Johnson, Akıncı tha se nuk është e mundur që problemi të zgjidhet gjatë këtij viti.
Në paraqitjen e tij lideri qipriot tha se ka disa çështje të cilat pritet të përfshihen në kushtetutat, për çka zbatimi do të duhet të presë vitin 2017, për të shtuar se në tre muajt e parë do të bëhet përgatitja e kushtetutave.
“Në tre muajt e dytë të vitit 2017 qytetarëve do t'u jepet kohë e mjaftueshme. Secili do të ketë qasje në atë se çfarë është dakorduar. Referendumet do të mund të mbahen nga mesi i vitit 2017”, tha Akıncı.
Johnson nga ana e tij falënderoi Akıncı për përpjekjet e paqes në ishullin e ndarë për të shtuar se "Britania dëshiron të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së Qipros”.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha të mërkurën se SHBA-të vazhdojnë të mbështesin procesin e udhëhequr nga Kombet e Bashkuara ndërkohë që shprehen të inkurajuar nga progresi i bërë deri më tani këtë vit.
"Mbetemi të fokusuar në mbështetjen e përpjekjeve të palëve për të arritur një zgjidhje të plotë për ribashkimin e Qipros”, tha zëdhënësi i Departamentit Amerikan, Mark Toner, gjatë një konference për media.
Të hënën e kaluar në Mont Pelerin të Zvicrës përfunduan pa sukses bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja ku morën pjesë Akıncı dhe udhëheqësi qipriot grek Nikos Anastasiades.