Abdel Ra'ouf D. A. R. Arnaout
15 Shtator 2021•Përditësim: 15 Shtator 2021
Ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe në Tel Aviv ka shënuar përvjetorin e parë të normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në rrugët në Tel Aviv dhe në pjesën perëndimore të Kudsit vëreheshin pankarta me mbishkrime "Paqja është e ardhmja e fëmijëve tanë" në gjuhën arabe, angleze dhe hebraike.
"Ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe në Izrael filloi një fushatë në Tel Aviv dhe në Kuds për të shënuar përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Abrahamit", shkroi në rrjetet sociale Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit në gjuhën arabe.
"Për të ardhmen. Për fëmijët tanë", komentoi në postim ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Yair Lapid.
Më 15 shtator të vitit 2020, EBA dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për të normalizuar marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve.
EBA iu bashkua tre vendeve të tjera arabe, përkatësisht Bahreinit, Marokut dhe Sudanit, në normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.
Për palestinezët, kjo lëvizje ishte një "goditje pas shpine".