Elena Teslova
16 Gusht 2021•Përditësim: 17 Gusht 2021
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka bërë të ditur se ambasada ruse në Kabul ka krijuar "kontakte pune" me talebanët, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në faqen e saj zyrtare, ministria ruse tha se kjo lëvizje është bërë për të garantuar sigurinë e misionit diplomatik.
"Sipas informacioneve në dispozicion, situata në Kabul dhe në përgjithësi në Afganistan është duke u stabilizuar. Talebanët filluan të rivendosin rendin publik, konfirmuan garancitë e sigurisë së banorëve vendas dhe të misioneve të huaja diplomatike", tha ministria ruse.
Ministria u bëri thirrje "të gjithë palëve afgane" të shmangin dhunën dhe të punojnë drejt një zgjidhjeje paqësore të situatës.
"Ambasada ruse në Kabul vazhdon të funksionojë normalisht. Janë vendosur kontakte pune me përfaqësuesit e autoriteteve të reja në mënyrë që të garantohet siguria e misionit të jashtëm rus", theksoi ministria ruse.
Më tej, thuhet se Moska do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e vendit.
Pasi ditët e fundit pushtuan shumë qendra strategjike provinciale, duke detyruar forcat qeveritare të dorëzohen ose të ikin, dje luftëtarët talebanë mbërritën në kryeqytetin Kabul.
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani dhe ndihmësit e tij të ngushtë janë larguar nga vendi.
Pas largimit të presidentit Ghani, ish-presidenti Hamid Karzai, politikani veteran, Gulbuddin Hekmatyar dhe kryenegociatori i paqes, Abdullah Abdullah, formuan një këshill me qëllim të garantimit të një transferimi të qetë të pushtetit.