Muhammet Kurşun
13 Dhjetor 2020•Përditësim: 14 Dhjetor 2020
Për shkak se Bashkimi Evropian dënoi ekzekutimin e gazetarit opozitar iranian, Ruhollah Zam, Irani ftoi në Ministrinë e Jashtme ambasadorin e Gjermanisë në Teheran, vendi i të cilit është kryesues i radhës me BE-në, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve IRNA, thuhet se ambasadorit gjerman iu përcoll kundërshtimi i qeverisë së Teheranit për shkak se BE-ja dënoi ekzekutimin në fjalë.
Po ashtu thuhet se edhe kreu i përfaqësisë së Francës do të thirret në Ministrinë e Jashtme lidhur me të njëjtën çështje.
Gazetari opozitar Zam u ekzekutua në Iran
Dje në Iran është kryer dënimi me vdekje për Ruhollah Zam, editorin e faqes së lajmeve Amed News opozitare e regjimit në Iran.
Gjykata Revolucionare në qershor dënoi me vdekje gazetarin Zam me akuzën e "shkaktimit të ligësive në botë".
BE-ja dënoi ekzekutimin
BE-ja në një deklaratë tha se "dënon në mënyrën më të fuqishme" ekzekutimin e Zam. Po ashtu edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell tha se dënimi me vdekje duhet të refuzohet në çdo rrethanë dhe se qeveria e Iranit duhet të provojë që gjykimi i Zam ka qenë i drejtë.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë në një deklaratë bëri të ditur se qeveria gjermane është e tmerruar nga ekzekutimi i dënimit me vdekje për Zam në Iran dhe se i shpreh ngushëllime familjarëve dhe miqve të gazetarit.
Ndërkohë edhe Ministria e Jashtme e Francës dënoi ekzekutimin duke mbrojtur idenë se është kryer "ndërhyrje e rëndë ndaj lirisë së mendimit dhe shtypit".